Shoferi i njërës veturë humbi kontrollin, policia jep detaje të reja rreth aksidentit tragjik në rrugën Ferizaj-Shtime.
Mbrëmë në rrugën Ferizaj-Shtime ka ndodhur një aksident fatal me katër viktima. Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje shtesë se si ka ardhur deri te aksidenti.
Sipas Policisë, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.
Policia njofton se si pasojë e aksidentit, pos katër viktimave, lëndime trupore kanë pësuar edhe dy persona të tjerë të cilët janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.
“Ka ndodhur aksident trafiku në mes të tri veturave me targa vendore, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt. Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tre viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit”, thuhet në raportin e sotëm të policisë.
Në lidhje me aksidentin e trafikut që ndodhi mbrëmë, e ku kanë humbur jetën katër persona dhe dy të tjerë janë lënduar, prokurori i rastit, Besnik Nuredini, ka deklaruar se në këtë rast janë përfshirë dy automjete.
Ndërkohë, ai tha se vetura e tretë, për të evituar përplasjen ka rënë në hendek.
“Në një automjet dyshohet se kanë qenë katër persona, në automjetin tjetër të aksidentuar janë dy të plagosurit që janë në gjendje të rëndë”, tha ai.
“Derisa vetura e tretë duke tentuar për të shmangur përplasjen, ka lëshuar rrugën dhe ka rënë në hendek”, deklaroi prokurori i rastit Nuredini.
Tre nga katër personat e vdekur në këtë aksident janë Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, teksa personi tjetër akoma nuk është identifikuar.
Vdekjen e tyre e ka konfirmuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ndërsa si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe një çift, që pësuan lëndime të rënda trupore.
Njëri nga viktimat në aksidentin e mbrëmshëm në rrugën Ferizaj-Shtime, ishte punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili përmes një postimi në Facebook ju ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
“Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt”.
Aliu ju ka uruar shërim të shpejtë edhe të lënduarve të tjerë nga ky aksident.
Postimi i plotë:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Pa fjalë, të tronditur nga aksidenti i sontëm në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën 4 bashkëqytetarë, dy prej tyre nga fshati Dremjak i Ferizajt e dy nga Komuna e Shtimes, në mesin e tyre edhe një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Ferizajt. Në këto momente dhembje e pikëllimi të thellë, jemi me familjet e tyre, për t’i shprehur ngushëllimet më të sinqerta, për humbjen e më të dashurve të tyre në këtë aksident tragjik.
Ngushëllime të sinqerta familjeve Behluli, Muhadini e Isufi!
Lutemi për shërim të shpejt të të lënduarve nga ky aksident!
Në rrjetet sociale janë publikuar fotografitë e të vdekurve në aksidentin tragjik që ndodhi në hyrje të Shtimes.
Viktima e katërt e aksidentit fatal është Arsim Isufi nga fshati Mollopolc i Shtimes
Kështu ka bërë të ditur një qytetar përmes një shkrimi në Facebook, i cili ka publikuar edhe fotografinë e Arlind Isufajt (21 vjeçar) dhe Arsim Isufit.
Sipas këtij qytetari, viktimat janë axhë dhe nip.
Katër persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë në rrugën Ferizaj-Shtime.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se në aksident janë përfshirë tri vetura me targa vendore.
Ndërkaq, edhe dy persona të tjerë janë duke marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve nga aksidenti që ndodhi në dalje të Shtimes.
Nga QKUK-ja kanë deklaruar se dy persona të lënduar në aksident janë duke marrë trajtim në Klinikën Emergjente në QKUK.
“Një femër e datëlindjes 1996, është në gjendje të rëndë, ekipet mjekësore po bëjnë maksimumin, kurse personi tjetër që po merr trajtim ka lëndime më të lehta!”, kanë bërë të ditur nga QKUK.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet rreth rastit.
Tre nga katër persona e vdekur janë, Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar.
Dyshohet se dy nga të vdekurit janë nga fshati Mollopolc, ndërsa dy të tjerë nga fshati Dramijak.