Policia jonë po plaket/ 47 vjet mosha mesatare e zyrtarëve policor!

19:03 | 11 October 2022

Para një muaji, Policia e Kosovës shënoi 23 vjetorin e themelimit të saj. Por ndonëse e re për nga themelimi ajo tani renditet ndër më të vjetrat për nga mosha e zyrtarëve policor në nivel të rajonit.

Momentalisht mosha mesatare e zyrtarëve policor ka arritur në 47 vjet. E për këtë realitet është e shqetësuar Sindikata e Policisë së Kosovës e cila po kërkon me ngulm aprovimin e Ligjit për pensionim të parakohshëm sipas rekomandimeve të dhëna nga Policia e Kosovës, ku është bërë një dokument-analizë për mënyrën e implementimit të këtij ligji.

“Policia e Kosovës për nga themelimi është ndër policitë më të reja në rajon dhe më gjerë, por për nga mosha e zyrtarëve të saj pothuajse se është ndër më të vjetrat. Ashtu siç e kemi theksuar edhe më herët, mosha mesatare e personelit policor ka arritur në 47-vjet dhe vazhdon të rritet si e tillë, ku me këtë moshë është shumë problem realizimi i misionit dhe vizionit policor si dhe arritja e rezultateve pozitive”, thuhet në një letër të cilën sindikata e PK-së ja ka nisur kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Andaj bazuar në nevojat për rinimin e Policisë së Kosovës, sipas Sindikatës së PK-së, kërkohet aprovimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm sipas rekomandimeve të dhëna nga Policia e Kosovës ku është bërë një dokument-analizë për mënyrën e implementimit të Ligjit për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policor ku ka paraparë këtë implementim në faza të caktuara.

Historiku i Policisë

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të këtij Shërbimi filloi trajnimin në këtë qendër më 6 Shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi. Një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale. Një shërbim i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesëtarë të këtij shërbimi.

Policia e Kosovës ka gjithsejtë 9 342 punonjës të rregullt duke përfshirë këtu zyrtarët e uniformuar dhe stafin civil.

Trajnimet në Shkollën e Policisë së Kosovës

Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës është një trajnim me standarde të larta duke përfshirë: Kodin e Etikës Policore, Legjislaturën e aplikueshme në Kosovë, Hetimin e Krimit, grumbullimin e evidencave dhe metodën e intervistave, politikën demokratike dhe fokusimi në besueshmërinë e rregullave të ligjit demokratik, përdorimin e armëve të zjarrit, forenzikën dhe evidencën, kontrollin e trafikut, etj.
Pas përfundimit të trajnimit me sukses në Shkollën e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e këtij shërbimi vazhdojnë me programin e Trajnimit Fushor në stacionet policore, me trajner të certifikuar.

Komento: