Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për identifikimin e të dyshuarit për vjedhje të rëndë në vlerë 31 mijë euro

15:50 | 03 Korrik 2023

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e të dyshuarit për vjedhjen e rëndë të ndodhur në maj, në Shirokë të Suharekës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se se me 21 maj 2023, është raportuar për një vjedhje të rëndë që kishte ndodhur në Shirokë të Suharekës, ku persona të panjohur kishin hyrë në shtëpinë e viktimës dhe kishin vjedhur ari në vlerë 20 mijë euro dhe para të gatshme në vlerë 11 mijë euro.

“Me date 21.05.2023 rreth orës 20:05 është raportuar një vjedhje e rëndë në Shirok të Suharekës, është raportuar se persona të panjohur duke tejkaluar pengesa kanë hyrë në shtëpi të viktimës dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 20000 (Njëzet mijë ) euro si dhe para të gatshme 11000 (njëmbëdhjetë mijë ) euro”, thuhet në njoftim të policisë.

Sipas njoftimit të policisë, policia ka siguruar video incizime dhe foto të të dyshuarit që dyshohet që i ka vjedhë parat dhe se janë bërë hetime te vazhdueshme për identifikimin e personit të dyshuar.

Por sipas policisë, përkundër përpjekjeve të bëra, deri më tani nuk është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet vendqëndrimi i të dyshuarit.

Prandaj, me qëllimin që të zbulohet vendndodhja dhe identiteti i tij, Prokurori i Shtetit kishte lëshuar autorizim për publikimin e fotografive të mara nga kamerat e sigurisë.

“Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate, apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosov0”, thuhet në njoftim të policisë.

Komento: