Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e dy personave

10:57 | 19 Janar 2023

Policia e Kosovës ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për identifikimin dhe arrestimin e dy personave të dyshuar për tentim vjedhje.

Policia ka publikuar edhe fotografitë e të dyshuarve teksa ka njoftuar se të njëjtit dyshohet se në shtator të vitit të kaluar kanë tentuar të kryejnë vjedhje në zyrat e një marketi në Prishtinë.

“Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra, në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi”, thuhet në kërkesën e policisë.

“Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast tentim vjedhje që ka ndodhur në shtator të vitit 2022, në zyrat e një marketi në rrugën ‘Bajram Kelmendi’ në Prishtinë”.

Qytetarët janë udhëzuar që për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendndodhjes së tyre të kontaktojë policinë në numrin e telefonit: 192.

Komento: