Vrasja e plagosja në Prizren, policia konfirmon se po intervistohet edhe Dibran Hoxha.
Si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri në lokalin “Kobra City” në dalje të Prizrenit, ka vdekur një 31-vjeçar dhe është plagosur një 27-vjeçar, të dy nga Kukësi. Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmon për Gazetën Express, se në mesin e personave që po intervistohen është edhe pronari i lokalit Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”.
Ngjarja sipas policisë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe lidhur me këtë policia është duke intervistuar disa persona, kryesisht stafin e lokalit “Kobra City”.
“Në mesin e personave që po intervistohen është edhe pronari i lokalit. Po intervistohen rreth 5 persona”, tha për Express zëdhënësi Shaqir Bytyqi
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
31-vjeçari vdiq rrugës për në spital, teksa i plagosuri po qëndron nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetë.
Dyshohet se ngjarja tragjike ka ndodhur pas një konflikti në lokal me disa shtetas kosovarë.
Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë në bashkëpunim për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.