
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandimit me kafshë vetëm një ditë para festës së Kurban Bajramit. Aksioni është realizuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare – Lindje në fshatin Dumnicë, në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e kufirit shtetëror dhe luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare.
Sipas njoftimit policor, më 26 maj 2026, njësitë policore kanë ndalur dy automjete me targa vendore, ku gjatë kontrollit janë gjetur 27 dele dhe 4 qengja pa matrikula në vesh. Dyshohet se kafshët ishin kontrabanduar nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, i cili pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Me autorizim të prokurorit kompetent është iniciuar rasti për veprën “kontrabandim me mallra”.
Automjetet dhe kafshët e sekuestruara janë dërguar në terminalin doganor për procedura të mëtejme.