Policia në kërkim të gruas, kjo është gjendja e foshnjës së braktisur

15:49 | 23 May 2019

Një foshnje në spitalin e Pejës është braktisur nga nëna e saj.

Policia po vazhdon ta kërkojë gruan, e cila gjatë kohës sa doktorët në Spitalin e Pejës po ia kontrollonin beben, e la dhe iku.

Gruaja e ka lindur foshnjën në shtëpi dhe pas lindjes nuk ia ka lidhur mirë kërthizën, nga çka i është shkaktuar gjakderdhje.

Bebja e gjinisë mashkullore, që ka lindur para kohës, aktualisht ndodhet në kujdesin intensiv- në inkubator, në klinikën e neonatologjisë në QKUK.

Veprimet e kësaj nëne janë filmuar nga kamerat e sigurisë së spitalit përmes së cilave policia dhe prokuroria po shpresojnë që t’ia zbulojnë më shpejt identitetin.

Deri më tani hetuesia nuk i ka rënë në gjurmë asaj. Nga Prokuroria e Pejës thonë se po punohet intensivisht për ta gjetur nënën që e la foshnjën dhe iku.

Drejtori i Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, flet për gjendjen shëndetësore të bebes.

“Rasti është pranu me datën 20 maj, ora 20:50 minuta, është ardhë transfer nga spitali regjional i Pejës, me përcjellje të infermierës me përcjellje me oksigjen në inkubator. Foshnja është e gjinisë mashkullore, peshon 1200 gramë është e lindur para kohës. Është 35 javëshe… pra edhe pesha më e vogël, kjo shkakton probleme shëndetësore te kjo foshnje. Menjëherë është pranu në kujdesin intensiv të klinikës së neonatologjisë”, tha Gojnovci.

Doktori tha se foshnja po trajtohet në kujdesin intensiv, në inkubator.

“Foshnja trajtohet në kujdesin intensiv, në inkubator, me antibiotikë dhe në kujdesin e infermiereve”, tha Gojnovci.

Në këtë repart të QKUK-së, aktualisht ndodhen edhe katër foshnja tjera të braktisura, dy të gjinisë femërore dhe dy mashkullore.

Në QKUK ndodhen edhe 4 foshnje tjera të braktisura.

Ndërsa brenda këtij viti u braktisën 17 foshnje.

Prej kësaj shifre, pas bisedës me punëtorët socialë dhe infermierët 10 foshnje janë bashkuar me prindërit e tyre biologjikë, 5 ndodhen në klinikë dhe 2 janë adoptuar.

“Vetëm për pesë muaj janë trajtuar 17 foshnje në klinikën e Neonatologjisë, prej tyre 10 pas bisedës me punëtorët socialë dhe infermieret u janë bashkuar familjeve, ndërsa 5 janë në klinikë, dy janë strehuar nëpër familje”, përfundoi drejtori i neonatologjisë Xhevdet Gojnovci.

Me nënën që braktisi foshnjën po merret edhe Prokuroria e Pejës. Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se po punohet intensivisht për ta zbuluar identitetin e saj.

“Me datë 20 maj, Prokuroria Themelore e Pejës është informuar nga Stacioni Policor i Pejës, se në Spitalin Rajonal të Pejës, përkatësisht në repartin e Gjinekologjisë, një grua ka ardhur me një fëmijë të sapolindur, e cila më pas ka braktisur fëmijën dhe është larguar nga spitali. Prokuroria Themelore e Pejës ka urdhëruar Policinë e Kosovës për identifikimin e të dyshuarës, dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për ndriçimin e kësaj çështjeje”, tha Nikçi.

Ndërsa, Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, tha se kjo grua nuk ka qenë paciente e spitalit të Pejës, përveç në ditën kur e ka sjellë foshnjën dhe ka ikur.

Komento: