
Policia në Shtime ka përmbyllur me sukses projektin edukativ dhe vetëdijesues të titulluar “Edukimi i nxënësve për siguri dhe zbatimin e rregullave të trafikut”.
Në kuadër të këtij projekti, janë zhvilluar ligjërata me temë qendrore “Siguria e qarkullimit të këmbësorëve në trafik”, të cilat kishin për qëllim rritjen e kujdesit dhe mbrojtjen e fëmijëve në rrugë.
Ligjëratat janë mbajtur më datat 29 dhe 30 prill 2026, ku u përfshinë nxënësit e klasave të pesta (V), të teta (VIII) dhe të nënta (IX). Ky aktivitet ka bërë bashkë dy institucione arsimore, me gjithsej 7 klasa dhe 54 nxënës pjesëmarrës:
SHF “Emin Duraku” – Shtime
SHFMU “Abdullah Shabani” – fshati Carralevë
Synimet kryesore të ligjëratave:
Përvetësimi i rregullave bazë të lëvizjes si këmbësorë.
Krijimi i shprehive të sigurta gjatë kalimit të rrugës.
Rritja e vëmendjes dhe kujdesit të shtuar në trafik.
Demonstrimi praktik në terren
Përveç pjesës teorike, më datë 4 maj 2026, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorinë e SHF “Emin Duraku” në Shtime, u realizuan edhe aktivitete praktike direkt në terren. Nxënësit patën mundësinë të ushtrojnë:
Lëvizjen e sigurt të këmbësorëve në trotuar.
Kalimin e sigurt të rrugës në vendkalimet e shënuara (zebra).
Lëvizjen e organizuar në grup me përcjellës.
Ndaljen e automjeteve nga vetë nxënësit, të asistuar drejtpërdrejt nga zyrtarët policorë.
Mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të përfshira u shprehën mjaft falënderues dhe mirënjohës ndaj policisë për këtë nismë, duke vlerësuar se ligjëratat e tilla u ofrojnë nxënësve njohuri shtesë dhe të domosdoshme mbi rregullat elementare të sigurisë në trafik.