Policia njofton se ka gjetur armë e municion në tri lokacione në veri: Nuk ka persona të arrestuar

18:05 | 17 Shkurt 2026
policia-njofton-se-ka-gjetur-arme-e-municion-ne-tri-lokacione-ne-veri:-nuk-ka-persona-te-arrestuar

Policia e Kosovës tha se ka gjetur armë, municion, granata dore e mjete të tjera ilegale në tri raste në veri të vendit.

Policia tha se sot pranuan informacione se “në tri lokacione mund të ketë armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale”.

“RASTI I Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut, ku kanë gjetur dhe sekuestruar: – 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm; – 1 emblemë si dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë”, njoftoi Policia.

“RASTI II Rreth orës 09:20, njësitë policore gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur (të pabanuar) në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, kanë gjetur dhe sekuestruar: – 1 armë AK-47; – 1 granatë dore M-57, prodhim jugosllav; – 3 karikatorë të zbrazët të AK-47; – 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm; – 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë; – 60 fishekë të armës AK-47”, thuhet tutje në njoftim.

Në rastin e tretë, Policia tha se kryen kontroll në një shtëpi t1% pabanuar në fshatin Varage të Zubin Potokut.

“Si rezultat kanë gjetur dhe sekuestruar: – 1 granat dore; – 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Në vendin e ngjarjes, në rastin II dhe III, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar”, thuhet në njoftim.

Policia tha se “të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””.

“Lidhur me këto raste, nuk ka persona të arrestuar. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Çdo informacion mund të raportohet në numrin 192”.

Komento: