Policia sqarohet për ndalimin e qytetarëve në shesh

16:20 | 15 Maj 2020

Policia është sqaruar për ndalimin e qytetarëve në shesh.

Në sheshet kryesore të Prishtinës sot janë ndaluar qytetarë të cilët nuk kanë pasur të vendosura maska dhe doreza. Nga policia dhe inspektorati, atyre u janë marrë të dhënat personale, mirëpo pa speficikuar ligjin të cilit ata iu kanë referuar për këtë ndalesë dhe veprim.

Lajmi.net para pak minutash ka publikuar një video ku shihet se si gjatë ditës së sotme, një inspektor bashkë me një police e ndalojnë një qytetar, të cilit më pas ia kërkojnë të dhënat personale, për mos-vendosjen e maskës.

Inspektori në këtë video i referohet një ligji të nxjerrur nga ministria e Shëndetësisë, pa specifikuar se për cilin ligj bëhet fjalë, apo për shkeljen për të cilën po mirren të dhënat personale të cilat më pas regjistrohen.

E në lidhje me këtë çështje kanë folur edhe nga Policia e Kosovës. Zëdhënësi i këtij institucioni, Baki Kelani, për lajmi.net ka sqaruar se në këtë rast, Policia e Kosovës është vetëm në asistencë të inspektoriatit.

“Në lidhje me këto çështje, policia është në asistencë të inspektoratit. Pra policia nuk jep gjoba në pandemi, por hap raste. Inspektorati në këtë rast jep gjoba. Inspektorati në këto raste bazohet në ligjn për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse dhe bazohet në vendimin e MSH-së që përcakton gjobat”, ka thënë Kelani.

Sidoqoftë, lajmi.net ka kërkuar sqarime edhe nga ministria e Shëndetësisë, për vendimin që obligon mbajtjen e maskave në hapësirë jo të mbyllura, mirëpo deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Komento: