Policia sulmohet gjatë ndërhyrjes për dhunë në familje në Prizren, arrestohen tre persona

17:26 | 19 Janar 2026
policia-sulmohet-gjate-nderhyrjes-per-dhune-ne-familje-ne-prizren,-arrestohen-tre-persona

Policia e Kosovës ka njoftuar  se gjatë një ndërhyrjeje për rast dhune në familje në fshatin Poslishtë të Prizren, zyrtarët policorë janë sulmuar nga familjarët e të dyshuarit.

Sipas policisë, rreth orës 02:12 një grua ka kërkuar ndihmë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia është përballur me rezistencë të dhunshme nga bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij, të cilët kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar ta sulmojnë sërish viktimën.

Gjatë incidentit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa disa zyrtarë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur viktimën, policia ka ndërhyrë me forcë.

Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme, janë ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.

Komento: