Policia: Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa testim final, intervistohet një person

10:08 | 23 January 2025
policia:-ura-e-badocit-u-leshua-per-qarkullim-pa-testim-final,-intervistohet-nje-person

Një person është intervistuar nga prokuroria për lëshimin në qarkullim të Urës së Badocit, të mërkurën.

Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se policia kishte pranuar autorizimin nga gjykata dhe pas hetimeve është konfirmuar se ura është lëshuar qarkullim pa përfunduar testimi final.

“Në koordinim me prokurorin është intervistuar një i dyshuar mashkull kosovar. Në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

Ndërsa, më 8 janar pas raportimeve se Ura e Badocit u lëshua për qarkullim pa testim final, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte deklaruar se kjo urë është stabile dhe se është projektuar e ndërtuar me standarde të larta.

Durmishi tha se gjatë gjithë fazave janë kryer inspektime profesionale, përfshirë asetet paraprake të materialeve, testimet e vazhdueshme të betonit dhe armaturës deri në finalizimin e saj.

“Prandaj me përgjegjësi të lartë profesionale deklaroj se Ura e Badocit është shumë stabile. Gjatë gjithë këtyre ditëve aty kanë kaluar shumë makineri me pesha të rënda pa asnjë problem për Urën, e këtë do ta dëshmojë edhe testimi formal që do të bëhet nesër” , tha Durmishi, transmeton Klankosova.tv.

Ura e Badocit është lëshuar për qarkullim më 31 dhjetor të vitit që shkoi, teksa ishte e mbyllur për 20 muaj për qarkullimin e automjeteve.

Komento: