Hetuesi policor, Idriz Gashi i cili ishte rikthyer sot në punë pas përfundimit të afatit të suspendimit, është njoftuar prapë për vazhdimin e masës së suspendimit.
Lajmin e bëri të ditur avokati Arianit Koci. Përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, Koci thotë se siguria juridike e qytetarëve është në rrezik serioz.
Sipas tij, ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar.
Postimi i plotë i Kocit:
Hetuesit policor Idriz Gashi, sot në ora 12.22 i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit.
Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese.
Ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar.
Për më tepër, kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit.
Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit.