Politika kosovare s’di çka është dorëheqjeve morale

09:20 | 21 May 2019

Politika kosovare është “imune” ndaj dorëheqjeve morale.

Dorëheqja si akt i përgjegjësisë morale, është një praktikë shumë e rrallë në poltikën kosovare. Zyrtarë të lartë shtetëror, jo rrallë kanë qenë subjekt i aferave apo edhe proceseve gjyqësore, por ata kanë vazhduar punën duke mos ofruar dorëheqje.

Viteve të fundit janë ndërmarrë edhe disa nisma për plotësim-ndryshimin në Kodin penal, sipas të cilave, zyrtarët nën hetime apo me afera korruptive nuk do të lejoheshin të punonin në poste publike, por një gjë e tillë nuk është zbatuar në praktikë.

Sociologu, Ardian Gola vlerëson se morali i dobët politik në Kosovë, i cili sipas tij, është rezultat i të kuptuar të pushtetit si privilegj e jo përgjegjësi, dëshmon edhe nivelin e lartë të varfërisë intelektuale dhe ideologjike.

“Në përgjithësi kultura politike në Kosovë, prej pasluftës e tutje, dëshmon një varfëri të thellë intelektuale dhe ideologjike, argumentative etj.”, thotë ai.

Sipas tij, “pjesë e kësaj varfërie kulturore në politikë është edhe morali i dobët politik dhe ajo që është kultivuar tash e sa kohë në Kosovë, kultura e pandëshkueshmërisë”.

“Në momentin kur ushtrimi i pushtetit nuk kuptohet si përgjegjësi publike për atë që e bën, atë që e thua, atëherë normalisht qëdorëheqja si akt moral dhe jo vetëm, nuk ka funksionuar”, thotë ai.

Gola mendon se në Kosovë duhet të ndryshojë mendësia dhe raporti që ndërtohet me pushtetin, si shoqëri dhe si lidership në mënyrë që morali politik të ngritet deri në ato përmasa saqë lidershipi dhe politikanët të jenë të përgjegjshëm për punët dhe veprimet që ata i bëjnë.

Numri i vogël i dorëheqjeve karshi numrit të madh të skandaleve të zyrtarëve të lartë shtetëror, sipas analistit politik Imer Mushkolaj, shpërfaqë papërgjegjësinë politike të këtyre zyrtarëve dhe mendësinë e një pjesë të votueseve në Kosovë.

“Kjo tregon për papërgjegjësinë politike që e kanë njerëzit që merren me politikë në Kosovë, e të cilët politikën nuk e shohin përnjëmend si një përgjegjësi e llogaridhënie, por më shumë e shohin vetëm si privilegj dhe përfitim”.

“Për këtë shkak, ne e kemi situatën, fatkeqësisht, ku asnjë prej politikëbërësve dhe prej njerëzve që kanë përgjegjësi publike nuk japin dorëheqje,përkundrazi, me të gjitha skandalet, me gjitha veprimet e tyre, për me keq edhe krenohen, për shkak se, fatkeqësisht, edhe një pjesë e madhe e votuesve të tyre është e tillë. Pra, votuesit nuk është se kërkojnë përgjegjësi”, vlerëson Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, problem është edhe perceptimi shoqëror i politikëbërësve të përfshirë në skandale.

“Sot në Kosovë të jesh i përgjegjshëm, do të thotë të jesh i dobët, kështu shihesh në sytë e shumicës së votuesve, fatkeqësisht. Ndërkaq, të jesh i papërgjegjshëm, të jesh arrogant, të jesh brutal, në mënyrën e të bërit politikë, shihesh i fortë dhe pëlqehesh, dhe kjo ka sjellë këtë situatë ku secili nga politikëbërësit, nga figurat që kanë përgjegjësi publike, mund të bëjnë çfarëdo pa frikën mund të ndëshkohen nëse nuk japin përgjegjësi morale dhe politike”, thekson tutje ai.

Skandalet e shpeshta dhe mosndëshkimi i përgjegjësve për to, sipas sociologut Ardian Gola, ka krijuar një lloj “imuniteti” dhe “normaliteti” karshi tyre.

“Ato tashmë janë bërë, si të thuash, përditshmëri e jetës shoqërore dhe politike, janë normalizuar në jetën politike dhe janë bërë pjesë integrale e vetë jetës”.

“Normalisht në këso situatash ti e humb sensin e kritikës e krijon njëfarë lloj imuniteti në raport me to edhe në këtë kuptim pastaj ti mësohesh dhe nuk provokohet kurrfarë delli për t’u rebeluar, për të artikular një qëndrim kritik, për të kërkuar llogari në mënyrë konsistente ose insituese në raport me lidershipin”, thekson Gola.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar veçohen edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën si dukuri shqetësuese, bashkë me sistemin ende të pavarur të drejtësisë, i cili si i tillë, nuk ka dëshmuar rezultate të pritshme në luftimin e këtyre dukurive.

Ndërkohë, në rastet tjera, përgjegjësia politike vlerësohet si akt moral që një politikanë të ofrojë dorëheqje.

Skena politike në Kosovë mban mend pak “dorëheqje morale”.

Më 2007, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Rexhepi, kishte dhënë dorëheqje nga ky post, në shenjë përgjegjësie morale ndaj dy të vdekurve në protestën e 10 shkurtit dhe familjarëve të tyre.

Kurse në qershor të vitit 2016, pas rastit tragjik të vdekjes së dy fëmijëve në një gropë të mbushur me ujë, në një lagje periferike të kryeqytetit, dorëheqje kishte dhënë edhe Xhelal Sveçla, atëkohë drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.

Këto dy dorëheqje, janë prej të rasteve të rralla të dhënies së përgjegjësisë morale nga politikanë dhe udhëheqës institucionesh në Kosovë.

Javën e kaluar, partitë opozitare si dhe një pjesë e shoqërisë civile kërkuan dorëheqjen e deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, pas publikimit të një fotografie me pamje të rënda grafike, të cilën e prezantoi si dëshmi të dhunimit seksual të një gruaje shqiptare nga forcat ushtarake serbe në prani të familjarëve të saj, por e cila doli të jetë fotografi e falsifikuar, e që dyshohet të jetë marrë në një faqe interneti me përmbajtje pornografike.

“Dorëheqje! Dorëheqje!”, ishin disa nga thirrjet në protestën e organizatave joqeveritare në Prishtinë, të hënën, në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovës, pas skandalit të deputetes.

Duke krahasur shumë afera e raste tjera në politikën kosovare të cilat kaluan pa dorëheqjen e askujt, analistët politik rikujtojnë rastin e fundit në Austri, ku të shtunën, zëvendëskancelari, Heinz-Christian Strache, dha dorëheqje pas publikimit të një video-skandali, ku ai shihej teksa ofronte kontrata shtetërore për një kompani ruse, në këmbim të donacioneve politike.

Përderisa dorëheqjet morale në skenën politike kosovare kanë qenë të pakta, në të kaluarën dy presidentë janë detyruar të heqin dorë nga posti i të parit të shtetit, kur janë përballur me shkarkimin pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Më 2010, Fatmir Sejdiu ishte detyruar të jepte dorëheqje, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ai kishte shkelur Kushtetutën duke ushtruar detyrën e presidentit të vendit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëkohësisht.

Një vit më vonë (më 2011), edhe Behgjet Pacolli kishte hequr dorë nga posti i të parit të shtetit, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ai është zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. /rel

Komento: