Politikani boshnjak që ishte te Kurti i shkruan Vuçiqit, BE-së, SHBA-së: Kërkojmë të drejta si për serbët në Kosovë

11:00 | 08 Shkurt 2023

Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik të Sanxhakut në Serbi, Sulejman Ugljanin, ia ka dërguar një letër Beogradit, Bashkimit Europian dhe SHBA-së në të cilën ka komentuar propozimin europian për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka përmendur pasojat nëse nuk pranohet dhe pozicioni i boshnjakëve në Serbi.

Ai posaçërisht ia ka drejtuar letrën “për zgjidhjen e statusit të boshnjakëve në Serbi” presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, si dhe të dërguarit të SHBA-së, Gabriel Escobar, përcjell Gazeta Express.

“Zoti President, më lejoni të paraqes qëndrimin tonë për këtë çështje, i cili mund t’ju shërbejë mirë kur merrni një vendim përfundimtar. Pasojat me të cilat Serbia mund të përballet për shkak të refuzimit të kësaj marrëveshjeje dhe të cilat mund t’i dëgjojmë nga ju, si ndërprerja e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, ndërprerja dhe tërheqja e investimeve dhe anulimi i liberalizimit të vizave, janë të mëdha për boshnjakët dhe sjellin me vete pasiguri dhe paqëndrueshmëri”, ka shkruar Ugljanin.

Në të njëjtën kohë, ai i thotë presidentit serb se boshnjakët në Serbi nuk janë të kënaqur me pozitën dhe trajtimin e tyre.

“Ju kërkojmë të garantoni të drejta të barabarta për boshnjakët në Serbi në vazhdimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes sipas modelit të kërkuar për komunitetin serb në Kosovë”, shkroi Ugljanin.

Ugljanin së fundmi ka vizituar Kosovën ku, së bashku me përfaqësues të tjerë të komunitetit boshnjak dhe shqiptar në Serbi, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, ata folën me Kurtin për propozimin europian dhe problemet me të cilat po ballafaqohen.

Tre deputetët e Kuvendit të Serbisë që e pranojnë Kosovën e pavarur, Enis Imamoviq, Selma Kuçeviq dhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi, së bashku me Ugljanin, më pas theksuan se janë të pakënaqur me pozitën e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Kabineti i Kurtit bëri të ditur se ky delegacion ka kërkuar reciprocitet të të drejtave me serbët në Republikën e Kosovës.

“U pajtuan se për paqe të qëndrueshme dhe siguri në Ballkanin Perëndimor duhet të ketë simetri të drejtash, dhe jo qasje privilegjuese ndaj një pakice apo komuniteti”, u tha në komunikatën e ZKM-së.

Pakënaqësi për pozitën e komunitetit boshnjak, por në territorin e Kosovës, ka shprehur së fundmi deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, Usame Zukorliq.

Duke thënë, ndër të tjera, se boshnjakët në Kosovë nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në krijimin e planeve dhe programeve për arsimin në gjuhën e tyre, ai në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë paralajmëroi mundësinë që lidershipi politik i boshnjakëve do të niste një iniciativë për një asociacion të komunave boshnjake.

Komento: