Politikani nga Vojvodina thotë se ndryshimi i kufijve do të thotë edhe 100 vjet ferr në Ballkan

13:36 | 28 June 2019

Çanak thotë se ndryshimi i kufijve do të thotë edhe 100 vjet ferr në Ballkan.

Ideja për mbetjen e Kosovës në tërësinë unike territoriale në shtetin e Serbisë është aq joreale, ajo është mashtrim i pastër i njerëzve, ka deklaruar për FoNet kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV) Nenad Çanak, i cili mendon se me këtë duhet ndërprerë sa më shpejt.

“Kosova është pushtuar me shpatë në vitin 1912, ndërsa është humbur me bomba në vitin 1999”, ka thënë Çanak.

Ai ka konstatuar se ka ekzistuar vullneti i fuqive të mëdha “që të ndodhë edhe njëra edhe tjetra” dhe ka dëshmuar “se aktualisht nuk ka luftë dhe as që ka vullnet të fuqive mëdha për të”.

Sipas vlerësimit të tij, karrigia e Kosovës në Kombet e Bashkuara (KB) vetëkuptohet, ndërsa pasojat eventuale mund të jenë vetëm për krenarinë e qarqeve ultra të djathta në Serbi, transmeton Koha.net.

“Mu për shkak të kësaj krenarie, Serbia e ka paguar këtë çmim të përgjakshëm tash e 30 vjet”, pohon Çanak.

Caktimi i kufijve, sipas tij, do të ishte marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por vetëm se po shqyrtohen kufijtë ku do të vendosen ata

“Vetë ndryshimi i kufijve për shkak të katër komunave do të ishte hapje e kutisë së Pandorës dhe ndryshim i kufijve në Maqedoninë e Veriut, Greqi, Mal të Zi, Serbi e deri në Moldavi. Kjo pastaj do të ishte ferr për 100 vjet e ardhshëm”,ka tërhequr vërejtjen Çanak.

Ai parasheh se konflikti i ngrirë mund të shkrihet nesër prandaj duhet të ketë marrëveshje.

“Ky është kusht i mbetjes dhe i jetës në këto hapësira”, ka thënë Çanak i cili është edhe kryetar i Këshillit për integrime evropiane në Kuvendin e Serbisë.

Sipas tij, kompromisi është i mundshëm vetëm nëse pala kosovare e kupton se është e domosdoshme dhënia e garancive për sigurinë e të drejtave kombëtare e qytetare për të gjitha bashkësitë nacionale në Kosovë,

“Po ashtu duhet dhënë edhe një shkallë autonomie për trashëgiminë kulturore serbe. Të gjitha të tjerat mendoj se tashmë kanë marrë fund”, ka thënë Çanak.

Ai referendumin e sheh si mënyrë që të marren vendime për të cilat mungon guxim për t’u marrë.

“Gjithashtu, referendumin rëndom s’e humb kurrë ai që e organizon”, ka thënë Çanak.

Ai ka shtuar se konferenca ndërkombëtare dhe dialogu japin pak garanci se zgjidhja do të jetë afatgjate.

“E vetmja që jep garanci afatgjate është lidhja e interesave thelbësore ekonomike, pra unioni doganor”. Ka përfunduar Çanak, transmeton Koha.

Komento: