Politikani serb: Kur Kosova e shpalli pavarësinë, kërkova nga Serbia që të futej me tanke atje – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Politikani serb: Kur Kosova e shpalli pavarësinë, kërkova nga Serbia që të futej me tanke atje

20:21 | 16 Maj 2021

Ai ka thënë se kurrë nuk ishte për luftë

Politikani opozitar serb, lideri i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, ka zbuluar së fundmi se në shkurt të vitit 2008 kishte propozuar që ushtria serbe të hynte në territorin e Kosovës dhe të “arrestonte separatistët shqiptarë në Prishtinë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.

Lideri i socialdemokratëve të Vojvodinës, për këtë ngjarje dhe propozim të pazakontë për profilin e tij politik, ka folur në një emision në TV Happy.

Çanak thotë se gjatë shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ishte i vetmi në Kuvend që kërkoi që të respektohet Kushtetuta e Serbisë, transmeton Telegrafi.

“A shkruan në Kushtetutë se ajo [Kosova] është pjesë e territorit të Serbisë? Pastaj atëherë kërkova: “Ndezni tanket, shkojmë në Kosovë! Shkojmë ta arrestojmë bandën separatiste në Prishtinë!”, thotë Çanak.

Ai ka deklaruar se atëherë, koalicioni qeverisës, pjesë e të cilit ishte edhe vetë, kurse shtylla kurrizore e shumicës ishte Partia Demokratike, iu përgjigj duke e quajtur aventurier.

“Pra, si mund të jem tradhtar tani kur atëherë kërkova të bëhet ajo që ishte obligative sipas Kushtetutës?”, ka pyetur Çanak.

Ai ka thënë se kurrë nuk ishte për luftë sepse e dinte shumë mirë që Serbia vetëm mund të humbte jetën e qytetarëve të saj kot, ndërsa struktura të caktuara do të përfitonin, siç ishte rasti, siç shprehet ai, edhe gjatë viteve të ’90-ta.

Komento: