Analisti serb: Vuçiq dëshiron ta radikalizojë sa më shumë situatën në veri të Kosovës.
“Shumica e serbëve në veriun e Kosovës nuk vendosin për vendime të rëndësishme jetësore, si karriera profesionale apo edhe vendbanimi, por e kanë lënë jetën në duart e pushtetit autoritar dhe të korruptuar serb. Cilado qoftë zgjidhja për Kosovën, këta njerëz tashmë kanë humbur gjënë më të çmuar që kishin – vetë mundësinë për të ndikuar në fatin e tyre, dhe kjo është një tjetër tragjedi e shkaktuar nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit me qëllim të forcimit të sistemit personal”, kështu u shpreh Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd për Danas.
Sipas tij, dalja e serbëve te veriut nga institucionet e Kosovës është një demonstrim i fuqisë së Aleksandar Vuçiqit, për të treguar se ai ende ka potencial për të ndikuar në stabilitetin rajonal.
“Besoj se pas vendimit qëndron një kombinim i arsyeve të ndryshme, nga të cilat jo të gjitha patën ndikim të barabartë. Kryesorja është sigurisht mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare se ekziston mundësia e përshkallëzimit të konfliktit nga pala serbe dhe se ky faktor duhet të merret parasysh”, tha ai.
Nga ana tjetër, Popoviq potencon se, “autoriteteve serbe gjithsesi iu duhet ta radikalizojnë situatën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që çdo zgjidhje të mundshme të ardhshme ta paraqesin si më të mirën e mundshme në atë moment ose të paktën si një të keqe më të vogël në krahasim me luftën, spastrimin etnik apo skenarë të ngjashëm katastrofikë”.
“Nuk kam dyshim se ka një rivalitet të konsiderueshëm edhe ndaj Kurtit, i cili, ndryshe nga paraardhësit e tij, sillet në mënyrë të ngurtë dhe nuk tregon gatishmëri as për t’u dorëzuar, as për t’iu përshtatur presioneve nga perëndimi. E gjithë kjo së bashku solli vendimin për largim nga institucionet e Kosovës”, shpjegon Dragan Popoviq.
Ai, megjithatë, beson se kthimi i serbëve në institucione do të jetë edhe pjesë e vlerësimit politik të autoriteteve në Serbi, nëse kjo mund të paraqitet si fitore e politikës së Vuçiqit.
“Në përgjithësi, më së paku pyeten vetë serbët në veri të Kosovës, të cilët kushedi për të satën herë janë monedhë për kusuritje”, tha Popoviq.