Porosia e Bekim Jashari në 27-vjetorin e sulmit ndaj familjes së tij

12:28 | 30 Dhjetor 2018

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, në 27-vjetorin e sulmit ndaj familjes së tij duke thënë se shumë gjëra të mira po vijnë për Kosovën.

Me rastin e 27 vjetorit të sulmit të parë ndaj familjes Jashari nga forcat serbe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetar të komunave dhe qytetarë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari në Prekaz.

Jashari derisa e kujton ditën e sulmit ndaj familjes së tij, thotë se sot janë shpirtërisht më mirë sepse Kosova ka pavarësinë dhe ushtrinë e saj.

“Para 27 viteve ishte më ftohtë. Ishte borë, acar sot është një ditë më e ngrohtë edhe fizikisht edhe shpirtërisht sepse sot bëmë nderime duke e ditur se 27 vite para ku kemi qenë sot jemi shtet, kemi pavarësinë, kemi Kushtetutën kemi ushtrinë e shumë gjëra të mira që janë duke i ardhur vendit tonë”, u shpreh Jashari.

Në vendin tonë sot po shënohet me disa aktivitete edhe Dita e Veteranëve, që përkon me ditën e sulmit të parë të policisë serbe mbi familjen Jashari në Prekaz.

Me këtë rast këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka ka shprehur admirim ndaj sakrificës së familjes Jashari me porosinë se i gjithë populli i Kosovës është pas tyre.

“Ne e kemi obligim jo vetëm si institucione por edhe si qytetarë që asnjëherë të mos ta harrojmë sakrificën gjakun e derdhur për këtë liri që ne sot e gëzojmë”, ka thënë Lluka.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 27 vite më parë u ndezën shkëndijat e para për lirinë që e gëzojmë sot.

Ai e ka demantuar lajmin se nuk do ketë aktivitete për të shënuar Ditën e Veteranëve.

“27 vite më parë u ndezën për herë të parë shkëndijat e lirisë. Ku ne si veteranë e kemi këtë ditë të shenjt dhe pikërisht sot me Qeverinë dhe ne si organizatë e veteranëve që është organizuar kjo ditë të festohet sot ka aktivitete në tërë territorin e Kosovës, në të gjitha varrezat e dëshmorëve të vendit do të bëhem homazhe”, ka deklaruar ai.

Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” kanë bërë homazhe edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Në pasditen e sotme Dita e Veteranëve do të shënohet me një ceremoni ku pjesëmarrjen e tij e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Komento: