Haradinaj porosi Vuçiqit: Njihe pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mos ke frikë ushtrinë.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur presidentit serb, Aleksander Vuçiq, pas deklaratave kërcënuese dhe nxitëse që ky i fundit lëshoi në drejtim të Kosovës.
Haradinaj i është drejtuar Vuçiqit me një video-mesazh duke thënë se Kosova e ka krijuar ushtrinë jo për të kërcënuar Serbinë, por për të mbrojtur territorin e saj.
Ai është shprehur se nëse Vuçiq ndjehet i kërcënuar, ai duhet ta njoh dhe respektojë pavarësinë e Kosovës në atë formë që popujt tanë të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.
Deklarata e Haradinajt:
Mos kini frikë z. Vuçiq: Ne krijuam Ushtrinë e Kosovës jo për të kërcënuar Serbinë, por për të mbrojtur territorin, sovranitetin dhe pavarësinë tonë.
Si President i ardhshëm, unë do ta forcoj dhe fuqizoj Ushtrinë e Kosovës, jo si mjet agresioni, por në shërbim të paqes dhe stabilitetit. Nëse Vuçiq ndihet i kërcënuar, unë kam një zgjidhje shumë të thjeshtë për të: Njihe dhe respekto pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës në mënyrë që popujt tonë të jetojnë në paqe dhe fqinjësi të mirë.