De Ligt dëshiron të shkojë në Barcelonë.
Portieri i Ajaxit, Andre Onana, ka thënë se Matthijs de Ligt dëshiron të shkojë në Barcelonë, ku nga sezoni i ardhshëm do të luajë edhe talenti tjetër i klubit holandez, Frenkie De Jong.
Ajaxi tanimë ka arritur marrëveshje me Barcelonën, në vlerë prej 75 milionë eurosh, për ta shitur De Jongun në Barcelonë. Mesfushori i ri do të qëndrojë në Ajax deri në fund të këtij sezoni, transmeton Gazeta Express.
Por, kjo mund të mos jetë marrëveshja e vetëm që këto dy klube e arrijnë këtë vit, pasi që edhe mbrojtësi adoleshent, De Ligt, është nën radarin e klubit katalonas.
Odana, i cili kishte qenë pjesë e akademisë së Barcelonës para se të transferohej në Ajax në vitin 2015, pretendon se De Ligt e ka shprehur dëshirën për t’u transferuar në klubin e La Ligës.
“Edhe De Ligti dëshiron të shkojë, kam folur me të disa herë. Kam folur me të dy [De Ligtin dhe De Jongun]. Ai është i ri dhe mund të përmirësohet edhe më shumë, ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar”, ka thënë Odana.
De Ligt, 19-vjeçar, është qendërmbrojtës dhe konsiderohet si njëri ndër talentet më premtues në futboll dhe deri më tani ka arritur ta dëshmojë veten në fushë, përgjatë 31 paraqitjeve për Ajaxin gjatë këtij sezoni.
Barcelona ka shprehur interesim edhe për De Ligtin dhe klubi spanjoll është duke e vlerësuar për momentin mundësinë e transferimit të tij, veçanërisht sa i përket kapacitetit financiar të klubit.
Mundësia financiare është e vetmja pengesë për këtë transferim, pasi që nëse shkelen rregullat e UEFA-s, atëherë Barcelona mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në garat evropiane.