Porto mposht Lazion

22:59 | 17 Shkurt 2022

Lazio humbet duelin e parë me Porton.

Lazio e Thomas Strakoshës dhe Elseid Hysajt është kthyer e humbur nga Porto sonte me rezultat 2-1. Zaccagni (23) shënoi golin e vetëm për Lazion kurse Martinez. T (37, 49) shënoi për Porton. Fituesi në këtë ndeshje do të dihet në Olympico javën e ardhshme
Lazio nuk ka arritur që ta fitojë duelin me Porton sonte.

Shqiponjat kanë humbur me rezultat 2-1 në një ndeshje ku titullar nga minuta e parë ishte portieri i Kombëtares shqiptar, Thomas Strakosha.

Rasti i parë në këtë ndeshje ishte pikërisht rasti i golit.

Luis Alberto bëri një pasim për Mattia Zaccagni i cili shënoi një gol të bukur me thembër në minutën e 23-të të ndeshjes.

Porto, pasi pësoi golin ishte më kërkuese dhe disa herë sulmoi portën e Strakoshës.

Megjithatë, goli i barazimit do të vinte në minutën e 37-të.

Nga këndi i djathtë depërtoi shumë mirë ish futbollisti i Interit, Joao Mario për të krosuar për Toni Martinez që shënoi një gol me kokë nga më shumë se 11 metra largësi.

Pjesa e dytë ishte shumë më e mirë për Porton, sidomos në minutat e parë të ndeshjes. Joao Mario përsëri do të krosonte për Toni Martinezin, kësaj radhe zhagazi, për të shënuar një gol të bukur në minutën e 49-të.

Lazio edhe pse pati posedimin dhe krijoi disa raste për gol nuk arriti që ta barazoi rezultatin.

Elseid Hysaj hyri në këtë ndeshje në minutën e 72-të në vend të rumunit Stefan Radu.

Fituesi i kësaj ndeshje do të zbulohet pas një jave kur të dyja këto skuadra do të përballën në Olympico të Romës.

Komento: