Posti i kryeministrit fut në ‘luftë’ partitë politike

08:15 | 13 August 2019

Beteja e partive për postin e kryeministrit.

Ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme shumica e partive politike i kanë bërë të ditur emrat e zyrtarëve me të cilët e synojnë postin e kryeministrit të vendit.

Ani pse përfaqësuesit e partive nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit me koalicione, ata kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga posti i shefit të Qeverisë së ardhshme, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndonëse shpërndarja e Kuvendit të Kosovës është paraparë të mbahet më 22 gusht, partitë politike tashmë kanë filluar llogaritjet e tyre në rast se dalin fituese nga zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Teksa shumica e partive kanë bërë të ditur se mund të shkojnë në koalicione parazgjedhore, ato kanë thënë se assesi nuk pranojnë të bëjnë kompromis me postin e kryeministrit të vendit.

Përfaqësues të PDK-së, parti kjo e cila tashmë ka bërë të ditur se kandidati për kryeministër nga kjo parti është Kadri Veseli, kanë theksuar se në asnjë formë nuk do të bëjnë kompromis për këtë post.

Njësoj kanë deklaruar edhe përfaqësues nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila e synon postin e kryeministrit të ardhshëm me liderin e partisë Albin Kurtin.

Komento: