Marrëveshja është arritur: Ibrahimovic transferohet te një tjetër skuadër e Serie A.
A do të vazhdojë të luajë Zlatan Ibrahimovic edhe pas fundit të këtij sezoni?
E ardhmja e suedezit është ende e paqartë, sepse dëmtimet e shumta po e bëjnë Milanin dhe vetë lojtarin të reflektojnë se çfarë do të ndodhë në muajt e ardhshëm.
Ibra do të jetë 42 vjeç në tetor dhe duket se ka ardhur koha për të përcaktuar kapitujt e ardhshëm të rrugëtimit të tij futbollistik. Mungesa e tij në fushat e blerta për shkak të lëndimeve ka shtuar zërat se një pozicion drejtues është gati për suedezin.
Këtë vit, Ibrës iu desh të rrinte jashtë fushave për një kohë të gjatë, për shkak të dëmtimeve të ndryshme. Fillimisht mungoi gati 7 muaj për t’u rikuperuar nga operacioni i pastrimit të gjurit dhe më pas pati ndalesa të ndryshme të muskujve, e fundit prej të cilave në pulpë, që rrezikon ta lërë në “infermieri” deri në fund të sezonit.
Vullneti i Ibrahimovic duket i qartë, ai dëshiron t’i japë një dorë Milanit sa më mirë që mundet, duke vazhduar gjithashtu me një rinovim të kontratës, të modifikuar me paraqitjet individuale dhe jo me pagë fikse. Tani është klubi kuqezi që do të reflektojë për të ardhmen.
Sipas asaj që raportohet nga media franceze “Footmercato”, futbollisti suedez, nga ana tjetër, tashmë ka gjetur një ekip për vitin e ardhshëm dhe nuk do të jetë Milani. Ibrahimovic ka arritur një marrëveshje verbale me Monza, ekip i Serie A që po planifikon një sezon edhe më vezullues se ky që po përfundon.
Klubi në pronësi të Silvio Berlusconit ka arritur ta bëjë këtë goditje falë marrëdhënies mes lojtarit dhe Adriano Galliani, menaxher aktual dhe njeri i shquar i klubit brianza. Ka shumë gjasa për ta parë Zlatan në stadiumin “U-Power”, por, për momentin, nuk ka siguri absolute. Nëse ndodh vërtet kështu, atëherë do të hapet një kapitull tjetër në historinë e futbollit të Ibrës, përndryshe do të mbetet vetëm një situatë magjepsëse për të mos thënë më pak