Trajneri i Chelseat, Graham Potter, thotë se nuk ka nevojë t’i kërkojë falje Brightonit.
Chelsea u përballë me Brighton për herë të parë që kur Potter u largua nga ‘Pulëbardhat’, për të zëvendësuar Thomas Tuchel, në ‘Stamford Bridge’.
‘Blutë e Londrës’ u mposhtën 4-1 nga Brighton dhe tifozët vendas u tallën me trajnerin duke thënë: “ju do shkarkoheni në mëngjes”.
“Nuk kam asgjë për të kërkuar falje. Mendoj se bëra një punë të mirë në klub dhe e lashë atë në një vend të mirë, por njerëzit kanë të drejtë të kenë mendimet e tyre,” tha Potter kur u pyet për trajtimin që mori, transmeton lajmi.net.
“Është pjesë e procesit. Duhet të vuash dhe të ndjesh dhimbje në mënyrë që të rritesh dhe të bëhesh më mirë. Ne duhet të marrim dhimbjen sot dhe të mësojmë prej saj”, përfundoi ai.
Ndërkohë, zëvendësuesi i Potter në Brighton, Roberto De Zerbi, tha për ‘BBC Sport’:
“Jo, nuk dua të flas për këtë. Më vjen keq për këto gjëra. Nuk e di situatën e së kaluarës dhe nuk dua”.
Potter mori drejtimin e Brightonit në vitin 2019 dhe pati një ndikim pozitiv në skuadrën e Premier Ligës, duke i çuar ata në vendin e nëntë në ligën e parë sezonin e kaluar përpara se të joshej në Londër.