Pozicioni i Kosovës në dialog është vështirësuar

08:12 | 04 July 2019

Vështirësohet pozicioni i Kosovës në dialog.

Me Josep Borrellin në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian vlerësohet se pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë më i vështirë, pasi diplomati spanjoll ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Me përbërjen e re të Bashkimit Evropian, por edhe me klimën politike që mbizotëron atje rruga integruese e Kosovës, por edhe e Ballkanit Perëndimor është vështirësuar. Kështu ka deklaruar për gazetën “Zëri” Nezir Kraki, ligjërues i politikave të BE-së në Paris, duke shtuar se emërimi i spanjollit Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, është lajm i keq për Kosovën në aspekt më të gjerë se zhvillimi i dialogut Kosovë – Serbi.

“Me përbërjen e re të BE-së, por edhe me klimën politike që mbizotëron atje rruga integruese për Kosovën dhe për Ballkanin po vështirësohet. Na takon neve të merremi më shumë me veten tonë derisa BE-ja të kthehet në klimë tjetër politike. Emërimi i Borrellit në këtë pozitë të rëndësishme është lajm i keq për Kosovën në aspekt më të gjerë se dialogu”, ka thënë Kraki, duke shtuar se dialogu mes dy vendeve që zhvillohet në Bruksel duhet të kthehet në pikën zero.
“Pavarësisht se kush na pret në Bruksel, me rendësi është që ne të shkojmë aty me ide të qarta, të thjeshta dhe konkrete.

Komento: