PRAK i shkruan Vitisë lidhur me vaksinimin: E padrejtë të privilegjohet stafi shëndetësor

10:35 | 07 Maj 2021

“Përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë, është e pa drejtë, jo etike dhe jo humane”.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, i ka shkruar letër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, ku thuhet se PRAK me shqetësim po e sheh procesin e vaksinimit të qytetarëve.

Sipas kësaj shoqate, përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë, është e pa drejtë, jo etike dhe jo humane, njofton Klan Kosova.

Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë drejtuar ministrit Vitia:

Ditë më parë Kosova u furnizua me rreth 24 mijë doza të vaksinës ASTRA ZENECA, si donacion i mekanizmit COVAX. Të parët që kishin të drejtë të qasen në ato vaksina ishin stafi shëndetësor, pa dallim moshe, sëmundje, niveli etj.

Edhe pse stafi shëndetësor patën një të drejtë të tillë, një pjesë e madhe e tyre refuzuan të vaksinohen me vaksinën e lart-cekur, duke mos dhënë një shembull të mirë për qytetarët dhe duke mos u solidarizuar me kolegët e vet të cilët pa hezitim vendosën të marrin vaksina të tilla! Kjo prekë në esencë edhe etikën mjekësore dhe e vë në pikëpyetje epitetin “Hero” të cilin ua dha shoqëria!

Me ardhjen e donacionit prej rreth 5000 vaksinave të PFIZER, Ministria e Shëndetësisë si radhë me prioritet për vaksinim me këtë vaksinë, prapë i pa ata që refuzuan të vaksinohen me Astra–Zeneca. Si është e mundur që Ministria e Shëndetësisë të lejoj një diskriminim të këtillë?!

Përderisa Kosova ka mungesë masive të vaksinave dhe në anën tjetër ka shumë grupe të rrezikuara të shoqërisë (të cilët po vdesin në mënyrë të vazhdueshme), të privilegjohet stafi shëndetësor në këtë mënyrë, është e pa drejtë, jo etike dhe jo humane.

Ju bëjmë thirrje publike që, të gjithë ata punëtorë që kanë refuzuar të vaksinohen kur e kanë pasur radhën, të vendosen në fund të listës së pritjes. Secili duhet të merr konsekuencat e veprimeve të veta!

Në anën tjetër, kërkojmë që sa më shpejtë të gjithë qytetarëve t’u jepet mundësia për t’u vaksinuar.

Komento: