
Janë prangosur edhe dy persona të dyshuar lidhur me rastin “Karaçeva”.
Policia e Kosovës ka prangosur edhe dy persona të dyshuar lidhur me rastin “Karaçeva” për “kontrabandë me mallra”.
Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, të mërkurën janë arrestuar edhe dy persona, të cilët të premten e shkuar, gjatë operacionit policor në Karaçevë të Kamenicës, nuk ishin gjetur në shtëpitë e tyre.
Të premten ishin prangosur 35 persona, prej tyre 12 policë. Ndaj 30 prej tyre është caktuar masa e ndalimit prej 30 ditësh. Ata dyshohen për “organizim të skemave piramidale” dhe “kontrabandim me mallra”.
“Të dyshuarit janë prangosur në dyshimet se; në vazhdimësi gjatë periudhës kohore 2019-2020 janë marr me veprën penale ‘kontrabandimin i mallrave’ nga territori i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, ku për pasojë i kanë shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndaj të dyshuarve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.