Arrestohet ‘tmerri’ i turistëve në Sarandë, dyshohet për 19 vjedhje.
Policia e Sarandës ka arrestuar një 45-vjeçar, i dyshuar se ka kryer 19 vjedhje të sendeve me vlerë dhe parave, kryesisht në ambiente ku qëndronin pushuesit gjatë sezonit turistik veror.
45-vjeçari B.S., banues në Rrogozhinë, ishte i ndaluar dhe i dënuar më parë në Itali dhe në Greqi, për të njëjtën veprimtari kriminale, njofton polica.
“Sekuestrohen sende që dyshohet se do të përdoreshin nga autori, për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura”, ka thënë policia.
“Ky shtetas dyshohet se gjatë sezonit turistik veror të vitit 2021 dhe të këtij viti ka kryer 19 vjedhje, në ambiente të ndryshme, në qytetin e Sarandës”, ka theksuar policia.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se 45-vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe në banesa të ndryshme, në të cilat qëndronin kryesisht pushues, bizhuteri të ndryshme, aparate celulare, si dhe rreth 500,000 lekë, 11,000 euro dhe 1,000 dollarë”, sipas policisë.
“Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura”, ka shtuar policia.