
Prangosja e Ikballe Hudutit ka bërë që Kosova të jetë top lajm në mediat botërore.
Ikballe Berisha Huduti, kosovarja që doli kundër SHBA-ve pas eliminimit të gjeneralit iranian, Qaseem Soleimani, ka pushtuar ballinat e mediave prestigjoze.
Shkas për këtë u bë prangosja e sotme e saj nga Policia e Kosovës, pas deklaratave të saja karshi rastit të liderit iranian, dhe thirrjeve për hakmarrje ndaj SHBA-ve.
“Prangoset përkrahësja e Iranit nga Kosova pas komenteve për eliminimin e Soleimanit”, është titulli që agjencia e lajmeve “Reuters” i ka vendosur artikullit që ka të bëjë me prangosjen e Huduti-Berishës.

“Reuters” ka përshkruar edhe akuzat që rëndojnë mbi kosovaren e cila bëri bujë me komentet e saja karshi ngjarjes që është top-lajm në mediat botërore, dhe që rrezikon tensione në Lindjen e Mesme.
Aty po ashtu përmendet edhe veprimi i mëtejmë i Huduti-Berishës, që fshiu më pas postimin dhe akuzoi mediat se ia kanë nxjerrur nga konteksti deklaratën.
Artikulli i njëjtë është shpërndarë edhe nga “MiddleEastMonitor”, medium ky që merret me monitorimin dhe raportimin e situatës në Lindjen e Mesme.

Edhe “USneës”, media nga SHBA-të, ka cituar raportimin e njëjtë të bërë nga “Reuters” që flet për aktin e gruas nga Prizreni.
Huduti-Berisha u arrestua sot nga Policia e Kosovës. Këta të fundit kanë treguar për lajmin se ajo u prangos në një operacion të organizuar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës.
E njëjta është dërguar për mbajtje 48 orë, ndërkaq që pritet vendimi i mëtutjeshëm i Prokurorisë.
