Policia e Prokuroria japin detaje.
Policia dhe Prokuroria në një konferencë të shkurtër për media të mbajtur para pak çastesh kanë dhënë më shumë detaje për prangosjën e të dyshuarit për privimin nga jeta të një 36 vjeçari në kazino në Lipjan para dy javëve.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se pas dy jave punë intensive është arritur të identifikohet dhe më pas të prangoset i dyshuari kryesor për atë rast.
“Pak më parë është raportuar për arrestimin e një personi të dyshuar për privimin nga jeta të një personi, për rastin që ka ndodhur në kazino në Lipjan. Policia ka kryer hetime intensive. Rreth orës 20:00 është prangosur i dyshuari”, ka thënë Hoxha.
Ndërsa, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se të dyshuarit i janë konfiskuar dy armë dhe prangosja ka ndodhur pas një aksioni intensiv të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, është bërë e ditur se do të merret deklarata e të dyshuarit dhe do të kuptohet nëse ka të tjerë persona të dyshuar për këtë rast.
“Sonte pas një aksioni intensiv të Policisë së Kosovës, është arritur të prangoset personi i dyshuar, që e kemi identifikuar. Kemi marrë masat e nevojshme. I janë konfirmuar dy armë dhe po vazhdojmë të punojmë intesivisht për këtë rast. Para dy jave ka ndodhur rasti në kazino në Lipjan. Si prokurori kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme. I falënderojmë hetuesit që kanë punuar pa ndal në prangosjën e të dyshuarit. Janë gjetur edhe disa prova materiale. Do të marrim edhe deklaratën e tij, për të parë nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast. Kanë qenë dy javë të gjata intensive, në mënyrë që të arrijmë në rezultatin e sotëm. Një bashkëpunim i mirë mes Prokurorisë dhe Policisë e lufton krimin në vend”, kanë thënë përfaqësuesit e Prokurorisë.
Rasti në kazino në Lipjan kishte ndodhur dy javë më parë, ku kishte mbetur pa shenja jete një 36 vjeçar si pasojë e plagëve të marra.
Ky rast dhe një tjetër e ngjashme në Suharekë, kanë nxitur reagim të madh lidhur me Ligjin për Lojërat e Fatit, ku menjëherë nisen procedurat për ndalimin e këtyre lojërave të fatit.
Në Kuvendin e Kosovës me 69 vota pro është Shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit me ç’rast do të ndalohet edhe veprimtaria e tyre. Ndërkohë që ky ligj ende nuk është dërguar tek presidenti për dekretim.