
E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, u ka dërguar porosi partive në Kosovë kundër tentimit për bllokim të pjesëmarrjes së ndonjë partie në zgjedhje.
Në një njoftim në Facebook të mërkurën, faqja e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë ka bërë të ditur se gjatë javës Prattipati ka takuar liderët e Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike.
“Këtë javë, e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara, përmes taktikave politike ose procedurale, minon demokracinë”, thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.
Sipas njoftimit, është diskutuar edhe për ngërçin për formimin e institucioneve. Ajo ua ka kujtuar udhëheqësve të partive se janë zgjedhur për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi dhe u ka bërë thirrje për bashkëpunim për të përmbushur mandatin që ua ka dhënë populli.