Premtimi i dështuar i Qeverisë Kurti/ 5 shtëpi të premtuar për të moshuarit, asnjë e ndërtuar

16:56 | 30 Qershor 2024
premtimi-i-deshtuar-i-qeverise-kurti/-5-shtepi-te-premtuar-per-te-moshuarit,-asnje-e-ndertuar

Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kishin premtuar së paku ndërtimin e pesë shtëpive të përkujdesit për të moshuarit.

Por, edhe pas tri vite e gjysmë mandat të Qeverisë Kurti, një premtim i tillë nuk ka filluar akoma së realizuari e asnjë shtëpi nuk është ndërtuar për kategorinë që kanë më së shumti nevojë për përkujdesje dhe mbikëqyrje.

E vetmja gjë që kryeministri Kurti ka bërë për të moshuarit, është vizita që ia ka bërë Shtëpisë së Pleqve ‘’Jetimat e Ballkanit’’ në Suharekë, të cilën e drejton humanisti Halil Kastrati.

Megjithatë, kryeministri Kurti e kishte vendosur gurë themelin e një shtëpie për të moshuar. Ky gurthemel ishte hedhur në janar të këtij viti, por që shtëpia e të moshuarve të cilën Kurti ia kishte vendosur gurë themelin, ishte financuar nga Shoqata ‘’Jetimat e Ballkanit’’ por jo nga Qeveria e Kosovës.

‘’Siç kujdesimi për fëmijët, duhet të kujdesemi edhe për pleqtë’’ kishte thënë Kurti atë ditë.

Bajrami për premtimin e VV-së : Më shumë ka bërë Halil Kastrati se Qeveria Kurti për të moshuarit

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për FrontOnline, thotë se Qeveria Kurti ka premtuar ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit por që nuk e ka bërë asnjë të tillë.

”Ka premtuar pesë shtëpi për të moshuarit, nuk është ndërtuar asnjë’’ thotë ajo.

Bajrami thotë se më shumë ka bërë Shoqata ‘’Jetimat e Ballkanit’’ për të moshuarit se sa Qeveria Kurti.

‘’Në fakt organizata, ‘Jetimat e Ballkanit’, kanë ndërtuar më shumë se Qeveria’’ thekson ajo.

Deputetja e LDK-së, thotë se kryeministri Kurti, e vetmja gjë që ka bërë është se ka marr pjesë në promovimin e projekteve për të moshuarit e që janëmundësuar nga Shoqata ‘’Jetimat e Ballkanit’’.

‘’Këta kanë pasur fytyrë dhe kanë shkuar kanë marr pjesë në promovime e Jetimave të Ballkanit, që janë ndërtuar me mjetet e bamirësisë’’ shprehet ajo.

Haxhiu për pesë shtëpitë e premtuara nga VV për të moshuarit: Përsëritje e rrenave të Nestradinit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, premtimin e kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit, e ka quajtur mashtrim të përsëritur.

‘’Me i komentu premtimet e Albin Kurtit dhe VV-së është sikurse me i përsërit rrenat e Nestradinit’’ tha Haxhiu shkurt për Front Online.

Derisa, nuk ka dashur të komentoj më shumë nëse pret që Kurti në mandatin e mbetur do të bëjë diçka për këtë kategori.

Deputeti i AAK-së për premtimin e VV-së për pesë shtëpi për të moshuarit: Edhe ky premtim mashtrues

Deputet i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka quajtur si premtim mashtrues ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit që ishte premtuar nga Vetëvendosje në fushatën zgjedhore të vitit 2021.

‘’Si shumë premtime, tjera edhe ky premtim mashtrues’’ deklaron ai.

Dreshaj, thotë se ky premtim është i pamundur të realizohet këtë vit. kur Kurti është në vitin e fundit të tij qeverisës.

‘’Nëse për tri vite nuk ndodhi, është e pamundur të pritet për tre muaj që diçka e me u bërë’’ thekson ai.

Ndryshe, aktualisht në Kosovë janë 4 shtëpi të kujdesit për të moshuarit, Prishtinë, Istog, Skenderaj dhe Graçanicë, me një kapacitet total prej 172 vendeve.

Shtëpitë për përsonat e moshuar pa përkujdesje familjare, janë shtëpitë në të cilat brenda 24 orëve ofrohet, ushqim, veshmbathje, strehim, përkujdesje shëndetësore, terapi të punës dhe shërbime fizioterapeutike për banorë./FrontOnline/

 

 

Komento: