Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, mori pjesë në takimin virtual të Forumit të Donatorëve për Rimëkëmbje Ekonomike, në të cilin pjesëmarrës ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Riccardo Serri, si dhe përfaqësuesit e vendeve donatore prezente në Kosovë, të agjencive zhvillimore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.
Në njoftimin e bërë nga nga zyra e kryeministrit thuhet se, takimi kishte për qëllim diskutimin për qasjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve për të financuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit, të nevojshme pas pandemisë së Covid-19.
Gjatë takimit, kryeministri Hoti shpalosi vizionin afatgjatë të Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike dhe për përfshirjen e donatorëve në financimin e prioriteteve të vendit.
“Ndihma e menjëhershme e mobilizuar nga donatorët nëpërmjet projekteve, përkrahjes së buxhetit të vendit dhe huave për investime, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike gjatë vitit 2020 dhe e planifikuar për vitin e ardhshëm, arrin mbi 400 milionë euro. Qeveria e Kosovës do të hartojë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim për 10 vjetët e ardhshme, e cila do të jetë orientuese për reformat dhe objektivat afatgjate të vendit për zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me aspiratat për integrim evropian të vendit”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit.
Tutje në njoftim thuhet se “për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike, do të hartohet një plan më i detajuar i investimeve më të rëndësishme për 5 vjetët e ardhshëm, i cili do të financohet nga buxheti i vendit, donatorët dhe në bashkëpunim me sektorin privat”.
“Qeveria e Kosovës dhe donatorët do të vazhdojnë koordinimin e tyre të rregullt nëpërmjet diskutimeve sektoriale për objektivat e përbashkëta që do të financohen bashkërisht, duke synuar të rritet sinergjia, efiçenca dhe efikasiteti gjatë zbatimit dhe të eliminohen pengesat e shfaqura për zbatimin e fondeve të donatorëve”.