Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka premtuar se do t’ua plotësojmë kushtet e punës infemierëve, në mënyrë që të mos largohen.
Në kuadër të javës Ndërkombëtare të Infermierisë, Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësor të Kosovës, ka organizuar konferencën e parë vendore me qëllim që të forcohet roli i tyre në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe që të nderohen infermierët që kanë kontribuar gjatë luftës në Kosovë.
Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemaj tha se kjo konferencë është një hap shumë i rëndësishëm për infermierët, pasi sipas tij për herë të parë po organizohet një konferencë e tillë.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u shpreh se vet moto e kësaj konference tregon punën e infermierëve që kanë bërë gjatë luftës, duke thënë se pa infermierë nuk ka sistem të mirëfilltë shëndetësor.
Ai pati fjalë të mira për gjithë punën e infermierëve dhe iu premtoi angazhim më të madh për të përmirësuar kushtet e punës së tyre në mënyrë që mos të largohen kuadrot mjekësore në shtetet evropiane.
Ndërsa, nikoqiri kryetari i Komunës se Ferizajt, Agim Aliu tha se përmes kësaj konference përkujtojnë ata që gjatë kohës së luftës janë angazhuar për t’i shëruar plagët për çlirimtarët.
Fjalë të mira për infermierët pati dhe nënkryetar i Komunës së Shtimes, Rrahaman Jakupi, i cili tha se roli i tyre gjatë luftës dhe në paqe është shumë i rëndësishëm.