Premtoi, nuk e bëri, dështoi/ Sa premtime i realizoi Qeveria “Kurti” për 4 vite mandat?

08:08 | 24 January 2025
premtoi,-nuk-e-beri,-deshtoi/-sa-premtime-i-realizoi-qeveria-“kurti”-per-4-vite-mandat?

Rreth 114 premtime, apo katër premtime më pak se sa numri 118 që Lëvizja Vetëvendosje garon në zgjedhje këtë vit, ishin premtuar nga Albin Kurti dhe subjekti i tij politik para 4 viteve.

Nga 114 zotimet e kryeministrit Albin Kurti, vetëm një premtim është përmbushur plotësisht, shumë prej tyre kanë dështuar krejtësisht e disa janë përmbushur pjesërisht.

‘’Paga minimale 250 euro dhe përjashtim i saj nga tatimi’’, vetëm ky premtim është përmbushur plotësisht nga Qeveria Kurti.

 

Në premtimet e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, ishin premtuar ndërtimi i autostradave e magjistraleve, ndertim i çerdheve e i banesave për çifte, shtëpi për të moshuar e kushte më të mira në aspektin shëndetësor e premtim për sigurim shëndetësor, padia ndaj Serbisë për gjenocid, themelimi i fondit sovran, themelimi i Gjykatës së Punës e shumë premtime tjera kanë mbetur vetëm në letër.

 

Shala i PDK-së: Kurti dështoj në të gjitha premtimet, Bedri Hamza ka zgjidhje për të gjitha problemet

Kandidati për deputet nga PDK, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Albin Kurtit, duke theksuar se ajo nuk ka arritur të realizojë asnjë nga premtimet e bëra.

‘’Kjo Qeveri në shkuarje dhe tashmë nuk ka mundësi që ta realizoj asnjë projekt’,’ thotë ai.

Sipas Shalës, Qeveria e Kurtit ka premtuar mbylljen e AKP-së, por kjo nuk është realizuar, ndërkohë që procesi i shitjes së pronave vazhdon. Ai theksoi gjithashtu se premtohej krijimi i një Fondi Sovran, por ai mbeti vetëm në fjalë.

‘’Ka premtuar mbylljen e AKP-së e cila nuk u realizua dhe sot vazhdon procesi i shitjes së pronave. Premtuan fondin sovran, nuk u realizua’’, thekoi ai.

Shala po ashtu kritikoi premtimet për energji stabile dhe uljen e çmimit të energjisë, duke theksuar se çmimi i rrymës ka vazhduar të rritet.

‘’Kanë premtuar energji stabile dhe ulje të cmimit dhe kemi rritje të cmimit të rrymës’’ vazhdoi ai.

Në lidhje me infrastrukturën, ai theksoi se rrugët janë lënë pa u ndërtuar dhe se shkollat dhe çerdhet nuk janë realizuar, po ashtu edhe banesat sociale kanë mbetur pa u ndërtuar.

‘’Ka premtuar infrastrukturë, nuk kemi rrugë, rrugët kanë mbetur aty ku i ka lënë Qeveria Thaçi. Kanë mbetur shkollat, çerdhet pa u ndërtuar. Kanë mbetur pa u ndërtuar banesat sociale’’, deklaroi Shala

Ai theksoi se Qeveria e Kurti ka dështuar edhe në njohjet ndërkombëtare, duke shtuar se aktualisht ajo është duke u marrë me sharje dhe ofendime, pasi nuk ka projekte konkrete.

‘’Kanë dështuar në njohje. Ne nuk kemi realizim të asnjë projekt’’, potencoi Shala.

Shala theksoi se zgjidhja e këtyre problemeve është me Bedri Hamzën dhe Qeverinë e tij.

‘’Këto projekte kanë zgjidhje dhe zgjidhja është me Bedri Hamzën dhe Qeverinë e tij’’, deklaroi Shala.

 

Sokol Havolli: Njëqind eurot e Kurtit në fundvit përfunduan te “mafia e energjetikës”

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Sokol Havolli, ka deklaruar se duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe të analizojmë atë që ka realizuar aktualisht Qeveria Kurti, duke theksuar se dështimet e saj janë të dukshme për qytetarët.

Ai kritikoi Qeverinë për evitimin e debateve politike dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës gjatë katër viteve të fundit.

“Nuk do të merremi shumë me të kaluarën duhet të fokusohemi nga e ardhmja se çka ka realizuar kjo Qeveri dhe për dështimet e njëpasnjëshme janë dëshmitar qytetarët dhe kjo është arsyeja pse Qeveria në ikje e eviton çdo lloj debati politik përfshirë edhe në periudhën e zgjedhjeve sepse e kanë vështirë të rrinë edhe në studio televizive. Jeta e qytetarit për gjatë katër viteve është keqësuar” potencoi ai.

Havolli theksoi se infuzioni i 100 eurove që u dha në fund të vitit ka përfunduar në rritjen e faturave të energjisë, të cilat ai i sheh si një tentativë për të ndihmuar “mafinë e energjetikës”.

“Ka pasur infuzion të 100 eurove në fund të vitit dhe të gjitha këto kanë përfunduar në faturat e rrymës të cilat janë të qëllimshme për të përfunduar në mafinë e energjetikës përfshirë edhe Martin Berishaj”, tha ai.

Ai gjithashtu kritikoi presionin ndaj bizneseve, duke e quajtur atë shantazh, dhe e vlerësoi situatën si emergjente për një ndryshim të politikës dhe programit ekonomik, duke e cilësuar këtë si pjesë të programit të LDK, “Rruga e Re”.

“Situata përveç që është e rëndë për qytetarin është edhe emergjente të ndryshohet se presioni që Qeveria e bënë ndaj bizneseve është presion i llojit të shantazhit dhe kështu nuk bëhet ndërtimi i shtetit. Është emergjente të ketë ndryshim politika dhe tek programi me politika ekonomike dhe të gjitha këto janë të përfshira në programin Rruga e Re”, shprehet Havolli.

 

Demhasaj: Qeverija e Kurtit ka qenë Qeveria më e dobët në 25 vite të pas luftës

Kandidati për deputet nga AAK, Arton Demhasaj, ka kritikuar ashpër fushatën aktuale të kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar sjelljen e tij ndaj elektoratit si “të çmendur”.

‘’Nëse e analizojmë fushatën e sotme të Kurtit e shohim se si sillet me elektorat në mënyrë të çmendur’’ tha ai.

Demhasaj theksoi se premtimet që Kurti kishte dhënë në shkurt të vitit 2021 nuk janë realizuar asnjëherë dhe se zhurma dhe britmat që po dëgjohen tani janë përpjekje për të fshehur dështimin e tij.

‘’Kjo arsye është se gjitha premtimet e dhëna në shkurt të vitit 2021 nuk e ka realizuar asnjë zotim dhe zhurmën dhe britmën që po e bën tani, po e bën për me mbulu dështimin e tij’’ potencoi ai.

Sipas Demhasajt, Qeveria e Kurtit ka qenë më e dobëta në 25 vitet pas luftës dhe veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

‘’Qeverija e Kurtit ka qenë Qeveria më e dobët në 25 vite pas luftës e veçmas pas pavarësisë së Kosovës” përfundoi ai.

 

Muhaxhiri: Kurti nuk i ka realizuar premtimet e dhëna, për të keqën e tij dhe të shoqërisë

Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka folur për premtimet e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se fushata e kaluar ka qenë mjaft specifike, pasi Kurti ka bërë premtime që kanë pasur kontradikta mes vete.

Ai  thotë se ishte e qartë që shumica e premtimeve të bëra nga Kurti nuk do të mund të realizoheshin, pasi ato nuk përputheshin me mundësitë reale dhe logjikën optimale.

‘’Fushata e kaluar ka qenë tejet specifike sepse Kurti ka dhënë premtime të cilat kanë pasur kontrakdita edhe mes veti dhe ka qenë e qartë që shumica prej tyre nuk realizohen’’ thotë ai.

Muhaxhiri thekson gjithashtu se ndonëse mund të ketë ndryshime të mëdha, ato nuk mund të përfundojnë në një kohë të shkurtër për shkak të shumë hallkave që duhen kaluar.

‘’Ato premtime kanë qenë në shpërputhje edhe me mundësinë reale por edhe me logjikën optimale. Ndryshimet e mëdha mund të nisën por jo të përfundojnë për një kohë të shkurtër sepse ka shumë hallka në të cilat duhet kaluar’’ deklaroi ai.

Ai kritikon Kurtin për mungesën e një plani të qartë gjatë katër viteve të qeverisjes, duke theksuar se premtimet e bëra nuk janë realizuar, që ka rezultuar në dëm të tij dhe të shoqërisë.

‘’Kuri në fushatën e kaluar e ka pasur një synim: marrjen e maksimumit të votave. Katër vitet e Qeverisë së tij tregojnë se nuk ka pasur ndonjë plan të qartë. Në realitet nuk i ka realizuar për të keqën e tij dhe të shoqërisë’’ përfundoi Muhaxhiri.

/FrontOnline/

 

 

Komento: