Është shtylla e ekipit të Liburnit dhe Kombëtares së Kosovës në futsal.
Alferd Prenqi, mbrëmë me ekipin e tij arriti të kalojë në finale të Kupës së Kosovës duke mposhtur FC Prishtinën me rezultat 8-3 , duke siguruar biletën për në finale ku do të takohet me Prishtina 01.
Në një intervistë për ORAinfo, portieri gjakovar ka zbuluar ambiciet e tij së bashku me klubin e poashtu edhe me Kombëtaren.
“Kemi nisur mbarë dhe shpresoj që po më këto rezultate pozitive të vazhdojmë tutje. Me Liburnin nuk dimë se çfarë është humbja, kjo dëshmon qartë atmosferën dhe përkushtimin e madh që kemi në klub.
“Nëse punon me vullnet dhe ke ambicie të mëdha, së bashku me ndihmën e bashkëlojtarëve mund të arrish çdo gjë. Kemi arritur në finale të Kupës dhe besoj që do të dalim si fitues”, ka thënë Prenqi.
Formë të lartë portieri nga Gjakova ka shfaqur edhe për Kombëtaren e Kosovës.
Kosovarët së bashku me Prenqin në portë kanë arritur dy fitore , ndaj Norvegjisë me rezultat 5-1, dhe Andorës me rezultat 5-3, duke siguruar fazën e dytë kualifikuese drejt Kampionatit Botëror./ORAinfo/