Shefi i Kabinetit të Presidencës, Blerim Vela ka bërë të ditur se javën e kaluar Policia e Serbisë ka ndaluar e më pas intervistuar dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës derisa po kalonin transit në kufi.
Përmes një postimi të bërë në Twitter, Vela ka shkruar se një gjë e tillë është dëshmi e veprimeve të paligjshme të Serbisë që pengojnë lirinë e lëvizjes.
“Javën e kaluar, policia e Serbisë dhe BIA ndaluan/intervistuan dy pjestarë të Policisë së Kosovës në kufi, teksa po kalonin transit. Kjo është dëshmi e veprimeve të paligjshme të Serbisë që pengojnë lirinë e lëvizjes”, ka shkruar Shefi i Kabinetit të Presidencës në Twitter.
Tutje ai ka thënë se në vend se Serbia të bëhet bashkë me Kosovën për të luftuar krimin ndërkufitar, ata po bëjnë të kundërtën.
“Në vend që të bashkojë forcat me Kosovën për të luftuar krimin ndërkufitar, Serbia bën të kundërtën”, ka përfunduar Vela në postimin e tij.