Që nga 1 janari, Polonia ka marrë kryesimin e Presidencës të Bashkimit Europian, duke e pasuar Hungarinë. Në prezantimin e prioriteteve të saj, Presidenca e theksoi politikën e saj për zgjerim të bllokut, ndërsa në një përgjigje për Gazetën Express, ajo e përforcoi këtë duke thënë se “do të bëjë çmos” që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë përparim drejt BE-së. Për Kosovën e Serbinë, Presidenca polake tha se kusht thelbësor është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut, ndërsa për masat ndëshkuese ndaj Kosovës tha se ato do të hiqen paralelisht me vetë Kosovën dhe hapat e saj për shtensionim të situatës.
Polonia, që e mori drejtimin e Presidencës së BE-së në kohën kur erdhi një udhëheqje e re brenda Unionit, është zotuar për shtyrjen përpara të agjendës për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Ne e perceptojmë anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, si një proces të natyrshëm të integrimit politik dhe ekonomik të kontinentit europian dhe si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë dhe stabilitetit të Europës”, ka thënë Presidenca polake në një përgjigje për Gazetën Express sot.
Ndërkohë, për dy fqinjët, Kosovën e Serbinë, Presidenca polake e riktheksoi se rruga e tyre drejt BE-së kalon kah dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve.
“Në këtë kontekst, dëshirojmë të ritheksojmë përkushtimin tonë për rrugën evropiane të Kosovës. Siç e dini, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut mbeten kushte thelbësore në rrugën europiane si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”.
Nën hijen e ngjarjeve të fundit dhe reagimeve të aleatëve të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, Presidenca e Polonisë tha se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës do të bëhet paralelisht me Kosovën dhe hapat që ajo ndërmerr për shtensionim të situatës në veri të vendit.
“Kur bëhet fjalë për masat e kthyeshme ndaj Kosovës, në përputhje me Konkluzionet e Këshillit për zgjerimin, BE-ja gradualisht do t’i heqë këto masa paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri”, thuhet në përgjigje.
BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023 për shkak të rritjes së tensioneve në veri të vendit.
Polonia, që është një mbështetëse agresive e politikës europiane kundër Rusisë, për Express tha se synon që të mbajë lart dinamikën e procesit të zgjerimit si për Ballkanin Perëndimor, si për fqinjën e saj Ukrainën dhe për Moldavinë. Po ashtu, Presidenca polake përmendi edhe Turqinë si vend kandidat me “interes të përbashkët”.
“Zgjerimi i BE-së është ndër prioritetet e Presidencës polake në Këshill. Qëllimi ynë është të ruajmë dinamikën e lartë të procesit të zgjerimit të BE-së. Presidenca jonë, si një ndërmjetës i ndershëm, do të bëjë çmos për të bërë përparim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë, bazuar në arritjet e tyre individuale. Turqia mbetet gjithashtu një vend kandidat dhe një partner kyç në shumë fusha me interes të përbashkët”.
Presidencës polake në këta gjashtë muaj do t’i bie të merret edhe me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili iu dorëzua Presidencës çeke në mesin e dhjetorit të vitit 2022. Që nga atëherë asnjë progres në këtë drejtim nuk është bërë me dije nga presidencat pasuese. Për këtë çështje dhe se ku ka mbetur ky proces, Presidenca polake nuk u përgjigj konkretisht në pyetjen e Gazetës Express, megjithatë e potencoi që dialogu dhe normalizimi me Serbinë është kyç për avancim të synimit të Kosovës për anëtarësim.
Edhe paraardhësja e Polonisë, Hungaria kishte thënë se ka qenë e suksesshme në synimet e bllokut për zgjerim.
Pas Polonisë, Presidencën e BE-së e merr Danimarka.