Presidenti amerikan do të flasë me presidentin kinez Xi të premten

18:01 | 17 March 2022

Biden do të flasë me presidentin kinez Xi të premten.

Presidenti Joe Biden do të flasë të premten me presidentin kinez Xi Jinping, ndërsa lideri i SHBA-së kërkon të forcojë presionin global ndaj Rusisë për të ndalur luftën e saj në Ukrainë.

“Kjo është pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të mbajtur linja të hapura komunikimi,” tha në një deklaratë sot sekretarja e shtypit të “Shtëpisë së Bardhë”, Jen Psaki. “Të dy liderët do të diskutojnë menaxhimin e konkurrencës midis dy vendeve tona, si dhe luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe çështje të tjera me interes të ndërsjellë”.

Thirrja është e para e Biden dhe Xi që nga nëntori, dhe pason një takim në Romë të hënën midis këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe kryediplomatit të Kinës, Yang Jiechi. Kina ka shmangur kritikat publike ndaj Moskës për luftën dhe Xi dhe Vladimir Putin deklaruan në javët para pushtimit se miqësia e vendeve të tyre nuk kishte “zona të ndaluara”. Kina ka thënë gjithashtu se dëshiron të shmangë ndikimin nga sanksionet e SHBA-së për luftën në Ukrainë.

Administrata Biden është përpjekur të bindë Pekinin që të mos kontribuojë në luftë. Pikëpamja e Shtëpisë së Bardhë është se Pekini po mbështet në heshtje pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Kina e mohon këtë dhe zyrtarët kinezë thanë se duan të shohin fundin e konfliktit. SHBA-ja e ka paralajmëruar vazhdimisht Kinën se do të vuante pasoja nëse ofronte mbështetje të drejtpërdrejtë për Rusinë në luftë.

Komento: