Presidenti amerikan në Kiev takohet me presidentin ukrainas, diskutojnë për pakon e re të ndihmës ushtarake – publikohen pamje të reja nga vizita

11:39 | 20 Shkurt 2023

Biden në Kiev takohet me presidentin ukrainas, diskutojnë për pakon e re të ndihmës ushtarake – publikohen pamje të reja nga vizita.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka publikuar fotografinë e parë të takimit mes presidentit amerikan Joe Biden dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti amerikan sot ka arritur në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë, pavarësisht se nga mëngjesi raportohej se një delegacion i lartë i diplomatëve do ta vizitonin kryeqytetin ukrainas, transmeton Telegrafi.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, vizita e Bidenit është një shenjë e rëndësishme e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për të gjithë ukrainasit.

Në anën tjetër presidenti ukrainas, ka njoftuar se me presidentin Biden kanë biseduar për armët me rreze të gjatë veprimi dhe për pakon e re ushtarake për Ukrainën.

Ndërkaq Biden tha se “me afrimin e një vjetorit të fillimit të pushtimit brutal rus të Ukrainës, ka shkruar në Kiev që të takohet me Zelenskyn, duke ritheksuar edhe një herë përkushtimin për një Ukrainë demokratike, sovrane dhe me integritet territorial”.

New York Times shkruan se Biden ka udhëtuar në fshehtësi të plotë me tren deri në Kiev. Ky udhëtim ka filluar nga Polonia dhe ka zgjatur rreth një orë.

Lajmin për vizitën e Bidenit në Kiev e ka konfirmuar edhe ambasadorja amerikane në Ukrainë, e cila publikoi fotografinë e Bidenit dhe Zelensky në Kiev me mesazhin “Mirësevini në Kiev president”.

Komento: