Begaj: Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i pranishëm në seancën solemne të Kuvendit për Ditën e Pavarësisë ka thënë se Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve.
Presidenti shqiptar tha se “jemi një komb që jemi përballur me dinjitet me historinë e vështirë të rajonit e që ka kontribuar për paqen në rajon dhe padyshim në Evropë, pavarësisht se i ndarë prej kufijsh”.
“Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve. Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar. Është një ditë krenarie për ne të gjithë, por dhe mirënjohjeje dhe falenderimi për ShBA-në, BE-në dhe të gjithë shteteve të tjera që iu gjenden pranë popullit shqiptar të Kosovës me forcë ushtarake, diplomatike dhe humanitare. Gjithashtu, u jemi falenderues shteteve mike që njohën menjëherë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të shënuar për ju të nderuar përfaqësues e qytetarë të Republikës së Kosovës, e po aq të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK- në, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë me sakrificën e tyre për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli”, tha presidenti Begaj.
Ai përsëriti se Shqipëria është mbështetëse aktive e integrimit euroatlantik të Republikës së Kosovës, pikësëpari e finalizimit të heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Derisa shtoi se ka pritur me entuziazëm lajmin e aplikimit të Republikës së Kosovës për procesin e anëtarësimit në BE, për çka uroi sukses e hapa sa më të shpejtë në këtë rrugëtim, shkruan KP, përcjell Klankosova.tv.
“Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në të gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet dialogun Kosovë – Serbi. Republika e Kosovës është shtet i lirë e i pavarur sido të mendojë apo veprojë zyrtarisht Serbia. Qeveria serbe nuk është distancuar nga agresori e as agresioni dhe as ka ndalur aktivitetin e saj kundër njohjes së Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë duhet të bashkëpunojë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Angazhimi i BE-së dhe ShBA-së, dhe i të dërguarve të posaçëm për Ballkanin Perëndimor është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Republika e Kosovës për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit. E kam të rëndësishme ta përshendes këtë angazhim dhe vijimin e një dialogu të mirëndërtuar, me njohje të ndërsjellë”, tha Begaj.