Presidenti çek: Nëse s’i marrim në BE shtetet e Ballkanit, mbesin në mëshirën e Rusisë

20:03 | 30 Prill 2024
presidenti-cek:-nese-s’i-marrim-ne-be-shtetet-e-ballkanit,-mbesin-ne-meshiren-e-rusise

Republika Çeke ka sinjalizuar mbështetjen e saj për raundet e reja të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa vendi përgatitet të shënojë 20 vjetorin nga pranimi i tij në bllok.

Zgjerimi është një “domosdoshmëri gjeostrategjike”, tha presidenti çek Petr Pavel në një konferencë shtypi në Pragë së bashku me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, konferencë kjo për pranimin e Republikës Çeke dhe nëntë shteteve të tjera në BE 20 vjet më parë.

“Nëse i lëmë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë në pragun e derës për një kohë të gjatë, do t’i lëmë në mëshirën e aktorëve si Rusia, të cilët nuk ia duan aspak të mirën evropianëve dhe Evropës”, paralajmëroi Pavel, ish-kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, raporton dpa, transmeton Klankosova.tv.

Përkrahje për shtetet e BP-së në rrugën e tyre drejt BE-së dha edhe kryeministri çek, Petr Fiala.

“Këto vende duan t’i përkasin Perëndimit”, tha të martën kryeministri Fiala. “Le t’u japim atyre këtë shans dhe të shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që ofron zgjerimi”, shtoi ai.

Pavel u bëri thirrje vendeve kandidate të përgatiten seriozisht për pranimin e ardhshëm. “Republika Çeke mund të ndihmojë anëtarët e mundshëm duke ndarë përvojën e saj”, tha ai.

Presidenti çek bëri gjithashtu presion për reformat e BE-së, duke thënë se unioni “padyshim” se mund të përmirësohet.

Më 1 maj 2004, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia dhe shtatë shtete të tjera iu bashkuan Bashkimit Evropian në atë që Pavel e quajti si “një moment historik”.

“Shtëpia jonë nuk është vetëm Republika Çeke, por Evropa”, tha Pavel.

Gjashtë vende në Ballkanin Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – aktualisht po kërkojnë të anëtarësohen në BE dhe kanë arritur nivele të ndryshme përparimi drejt anëtarësimit.

Ish-republikat sovjetike Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia janë gjithashtu kandidate, ndërsa negociatat e BE-së me Turqinë aktualisht janë të ngrira.

Më herët, Steinmeier bëri thirrje për një mbrojtje të demokracisë në Bashkimin Evropian përpara zgjedhjeve parlamentare të BE-së në qershor.

“Brenda Bashkimit tonë Evropian, vlerat themelore demokratike, në të vërtetë projekti evropian, po vihen në pikëpyetje nga populistët e papërgjegjshëm”, tha Steinmeier, transmeton Klankosova.tv.

“Le të kuptojmë se çfarë është në rrezik, veçanërisht tani”, tha ai. “Kur të arrihet demokracia, ajo nuk është e garantuar për përjetësinë”, shtoi presidenti gjerman.

“Ne e dimë se forca e demokracisë liberale, toleranca e saj, është gjithashtu pika e saj më e cenueshme. Dhe ne e dimë se ne duhet të mbrohemi dhe të veprojmë në mbrojtje kur ata që e përçmojnë demokracinë e përdorin këtë tolerancë për ta sulmuar atë”, deklaroi presidenti gjerman.

Ai tha se sot, Republika Çeke dhe Gjermania kanë çdo arsye për të festuar këtë pranim 20 vjet më parë, duke iu referuar shteteve të ish-Bllokut Lindor të Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë si dhe Maltës dhe Qipros, e cila u bashkua me Bashkimin Evropian në vitin 2004 në zgjerimin më të madh në historinë e BE-së.

“Ne të gjithë kemi përfituar nga ky hap – jo vetëm ekonomikisht, por mbi të gjitha si fqinjë. Dhe kjo histori suksesi do të vazhdojë të shkruhet”, theksoi Steinmeier.

Komento: