Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ai tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i arritshëm.
Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.
Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i raporteve mes tyre është në interesin e BE-së.
“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.
Propozimi që përmendi ai – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovskin, Shkup, 29 nëntor 2022.
Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.
Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.
Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.
Procesi i Berlinit “i rëndësishëm për rajonin”
Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti gjerman tha se rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka edhe bashkëpunimi mes shteteve që bëjnë pjesë në nismën e njohur si Procesi i Berlinit.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në
Në kuadër të saj u arritën edhe disa marrëveshje, të cilat i përmendi Steinmeier.
“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike, paraqet një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Duke folur integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paralajmërimet e zyrtarëve maqedonas se ky proces mund të rrumbullakohet deri në vitin 2030, kreu i shtetit gjerman tha se askush nuk mund të premtojë diçka të tillë. Ai inkurajoi drejtuesit e institucioneve që të punojnë në përmbushjen e reformave të domosdoshme për anëtarësim.
“Do të doja që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet që procesi i reformave të lëvizë me shpejtësinë e nevojshme shikuar nga këndvështrimi evropian. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë në vitin 2030”.
“Ju duhet ta kuptoni se për momentin askush këtë nuk mund ta thotë, asnjë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani apo në Bashkimin Evropian. Këtë askush nuk mund ta premtojë, por duhet të punoni që të arrihet ky synim”, tha presidenti gjerman duke theksuar nevojën edhe për ndryshimet kushtetuese, obligim që del nga marrëveshja me Bullgarinë për zhbllokimin e integrimit evropian.
Frank-Walter Steinmeier mirëpriti rolin dhe mbështetjen që ka dhënë Maqedonia e Veriut në konfliktin në Ukrainë nga agresioni rus.
“Maqedonia e Veriut është partneri i besueshëm dhe si shtet anëtar i NATO-s po jep një kontribut të çmueshëm të cilin ne e vlerësojmë lart”, u shpreh presidenti gjerman.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se “vizita e presidentit gjerman në kushtet e ndryshimit të gjeopolitikës, kërcënimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është konfirmim i miqësisë dhe vendosmërisë së Gjermanisë për të mbështetur rajonin”.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian, zhvillimit dhe agjendës reformuese të Maqedonisë së Veriut.
“Ne tani 17 vjet po përgatitemi për këto bisedime. Është periudha më e gjatë e përgatitjeve në historinë e BE-së. Ne jemi kandidati më i përgatitur për anëtarësim në BE në historinë e kësaj organizate. Unë jam i bindur se nëse ky proces nuk bazohet në aspektet historike dhe nëse bazohet në kriteret elementare evropiane dhe në vlerat evropiane, ne në një afat rekord do t’i mbyllim këto bisedime”, deklaroi Pendarovski.
Ai tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë partner i besueshëm i BE-së dhe NATO-s, si alternativa të vetme për të ardhmen e popullit dhe të shtetit në përgjithësi.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, një fjalim e mbajti edhe para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mbajti takime edhe me drejtues të partive politike.
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, në fillim të nëntorit, kanë nisur bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim përfshirjen e pakicës bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues. Kjo parashihet me Marrëveshjen me Bullgarinë, për kapërcimin e kontestit mes dy vendeve për çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Sofja në vitin 2020 bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Vetoja bullgare u hoq më 16 korrik, pasi Shkupi pranoi një propozim francez për zgjidhjen e dallimeve mes dy vendeve, marrëveshje kjo që çoi në nisjen e bisedimeve politike për anëtarësim, më 19 korrik.
Por, bisedimet reale apo për kapitujt nuk do të mund të nisin pa plotësimin e kushtit kryesor që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës dhe këtë Maqedonia e Veriut ka afat të bëjë deri në përfundimin e procesit të skriningut, apo të verifikimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së. /REL