Pas tragjedisë në Indonezi, ka reaguar edhe presidenti i FIFA-s.
I pari i shtëpisë më të madhe të futbollit, Gianni Infantino, tha se bota e futbollit është në gjendje shoku.
“Bota e futbollit është në gjendje shoku pas incidenteve tragjike që kanë ndodhur në Indonezi në fund të ndeshjes mes Arema FC dhe Persebaya Surabaya në stadiumin Kanjuruhan”, tha Infantino.
“Kjo është një ditë e zezë për të gjithë të përfshirët në futboll dhe një tragjedi përtej të kuptuarit. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave që humbën jetën pas këtij incidenti tragjik”, shtoi ai.
“Së bashku me FIFA-n dhe komunitetin global të futbollit, të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, ata që janë lënduar, së bashku me popullin e Republikës së Indonezisë, Konfederatën e Futbollit Aziatik, Shoqatën e Futbollit Indonezian dhe Ligën e Futbollit Indonezian, në këtë kohë të vështirë”, deklaroi presidenti i FIFA-s.
Kujtojmë se të paktën 174 njerëz vdiqën dhe 180 të tjerë u lënduan në një rrëmujë dhe trazira në një ndeshje futbolli në Indonezi, në një nga tragjeditë më të rënda në botën e futbollit. Shifrat janë të raportuara zyrtarisht deri më tani, teksa numri mund të rritet edhe më shumë.