Presidenti i Francës zbulon detaje nga biseda me Putinin,

21:05 | 06 Mars 2022

Janë treguar detaje nga takimi Putin-Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka treguar temat të cilat i ka diskutuar sot në bisedën me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Macron ka zbuluar se është folur për ruajtjen e instalimeve bërthamore, sikur që është centrali bërthamor në Zaporizhzhia, i cili sot nën kontrollin rus. Kujtojmë se rusët kanë sulmuar këtë termocentral, por pa pasoja, të cilat sipas ekspertëve kanë mundur të jenë fatale.

“Unë fola sot me Presidentin Putin dhe më pas me Presidentin Zelensky. Ne po ndërmarrim punë për të ruajtur integritetin e instalimeve bërthamore civile të Ukrainës, përveç kërkesave prioritare të bëra ndaj Rusisë: armëpushimi dhe mbrojtja e civilëve.”, ka shkruar Macron në rrjetin social Twitter.

Sot është raportuar edhe për sulme mbi civilët të cilët po evakuoheshin.
Ndryshe, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka bërë të ditur se rregullatori bërthamor i Ukrainës ka raportuar probleme komunikimi me stafin që operon në termocentralin bërthamor në Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore.

Autoritetet ukrainase i kanë thënë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike – IAEA se stafi i rregullt vazhdon të operojë centralin, “por menaxhimi i uzinës tani është nën urdhrat e komandantit të forcave ruse që kontrollojnë vendndodhjen”.

Komento: