Presidenti i Izraelit uron Pavarësinë: Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson jetën

11:25 | 17 Shkurt 2026
presidenti-i-izraelit-uron-pavaresine:-ne-traditen-hebraike,-numri-18-perfaqeson-jeten

Isaac Herzog, president i Izraelit, përmes një letre drejtuar presidentes Vjosa Osmani, ka uruar 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson “jetën” dhe shihet si një ogur i fortë dhe pozitiv.

Presidenti izraelit, ka thënë edhe se gjatë pesë viteve të marrëdhënieve diplomatike, është ndërtuar një lidhje e fortë dhe e qëndrueshme, po ashtu, duke shtuar se janë mirënjohës së Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem.

‘’ Lidhja jonë është thelluar më tej pas sulmit brutal të 7 tetorit dhe pasojave të tij. Megjithëse këto vite kanë qenë të mbushura me dhimbje, pikëllim dhe vështirësi, ne megjithatë kemi arritur të forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe’’, thuhet mes tjerash në letër.

Letra e plotë:

Jeruzalem, 17 shkurt 2026

Shkëlqesia Juaj,

Në emër të Shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij, kam nderin t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë suaj. Në traditën hebraike, numri 18 përfaqëson “jetën” dhe shihet si një ogur i fortë dhe pozitiv.

Në pesë vitet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, kemi arritur të ndërtojmë një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme. Jemi mirënjohës që vendi juaj zgjodhi të hapë ambasadën në Jerusalem, një vendim i guximshëm që pasqyron përkushtimin tuaj ndaj Shtetit të Izraelit dhe popullit të tij.

Lidhja jonë është thelluar më tej pas sulmit brutal të 7 tetorit dhe pasojave të tij. Megjithëse këto vite kanë qenë të mbushura me dhimbje, pikëllim dhe vështirësi, ne megjithatë kemi arritur të forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe. Jam i bindur se partneriteti ynë do të vazhdojë të përmirësohet në vitet në vijim.

Edhe një herë, në këtë ditë krenarie dhe feste, ju lutem pranoni urimet e mia më të mira dhe shpresat e sinqerta për një vit paqeje dhe begatie për kombin e Kosovës dhe popullin e saj.

Sinqerisht,

Isaac Herzog

President i Shtetit të Izraelit

Shkëlqesia e Saj

Dr. Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës

Komento: