Presidenti i klubit italian Pordenone të Serie B, Mauro Lovisa, ka rezultuar pozitiv në koronavirus.
Biznesmeni ka qenë në krye të klubit që po e kërkon promovimin në Serie A që më shumë se një dekadë, por kjo është hera e parë që klubi i tij është kaq afër kalimin në ligën elitare të futbollit në Itali, transmeton Express.
“Duke i marrë parasysh numrin e madh të mesazheve që i kam marrë pas spekulimeve se jam infektuar me virusin Covid-19, kam vendosur ta bëj një lajmërim zyrtar”, shkroi presidenti Lovisa në faqen zyrtare të Pordenones.
“Unë dua t’i falënderoj të gjithë ata që u interesuan për shëndetin tim duke më dërguar mesazhe apo duke më telefonuar. Është e vërtetë, edhe unë jam duke luftuar kundër këtij virusi të mallkuar. Jam më mirë tani, por s’jam shëruar ende. Do ta bëj edhe një test tjetër javën e ardhshëm, me shpresën se e kam kaluar këtë”.
“Kjo nuk është asgjë krahasuar me ata që kanë vuajtur shumë më shumë sesa unë. Unë gjithashtu dua t’i dërgoj lutjet e mia për të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre, që janë duke vuajtur për momentin ose që janë duke luftuar në vijën e frontit, si mjekët, infermierët dhe vullnetarët”.
“Unë gjithashtu dua t’ua uroj festën e Pashkëve të gjithëve, veçanërisht tifozëve tanë”.