‘Presidenti i LDK-së’ bllokon krijimin e ‘Qeverisë Kurti’ – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

‘Presidenti i LDK-së’ bllokon krijimin e ‘Qeverisë Kurti’

08:24 | 16 Dhjetor 2019

Vetëvendosje dhe LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.
Takimi maratonik mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës fundjavën që shkoi vetëm sa i ka larguar këto subjekte drejt arritjes së koalicionit qeverisës.

Barrikadimi i palëve rreth postit të presidentit ka bërë që marrëveshja të jetë vështirë e arritshme, shkruan sot Koha Ditore. Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se kjo javë do të jetë vendimtare, derisa kanë përmendur rrethana të tjera nëse nuk arrihet marrëveshje me LDK-në.

Anëtarja e Kryesisë së VV-së, njëherësh deputete e rizgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë të dielën se problemi i vetëm është insistimi i LDK-së për ta përfshirë postin e presidentit në marrëveshje. Megjithëse nuk kanë dhënë ndonjë emër, LDK-ja ka kërkuar prej VV-së që t’i jepet e drejta e propozimit të kandidatit dhe t’i zotohen 29 votat e subjektit fitues.

“Ne kemi kërkuar të mos përfshihet dhe marrëveshja të nënshkruhet për Qeverinë dhe Kuvendin. Kjo me argumentimin se për kandidatin duhet të punojmë bashkë dhe ta gjejmë një figurë jopartiake që përfaqëson unitetin e popullit. Kjo edhe për shkak të kërkesave kushtetuese procedurale 2/3, prandaj ne duhet të synojnë një kandidat konsensual dhe unifikues”, ka thënë Haxhiu. Ajo ka shtuar se nuk janë të interesuar të zgjatet shumë ky ngërç dhe të krijohen shpresa të rrejshme.

Deri tani janë zhvilluar katër takime në nivel të kryetarëve, për të diskutuar ndarjen e posteve. VV-ja është pajtuar që LDK-së t’i takojë posti i kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrit të parë, si dhe ndarja e ministrive të bëhet në mënyrë të barabartë. Ndërkaq posti i presidentit të lihet për më vonë, pasi t’i ketë skaduar mandati Thaçit në vitin 2021.

Takimi i fundit mes LVV-së dhe LDK-së u mbajt të shtunën.

Komento: