Presidenti kërkon që BE-ja ta dënojë “gjuhën raciste” të kryeministres serbe – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Presidenti kërkon që BE-ja ta dënojë “gjuhën raciste” të kryeministres serbe

15:06 | 30 Maj 2019

Hashim Thaçi ka reaguar ndaj deklaratave të Ana Bërnabiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.

Komentet e Thaçit vijnë një ditë pasi Bërnabiq, në prani të ambasadorit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se e shqetëson situata në Kosovë, sepse, sipas saj, ka “njerëz që vërtet kanë dalë prej malit”.

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.

“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi.

“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Bërnabiq i bëri komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Komento: